
Nga Kaon Serjani
Pasi Xheni Karaj postoi fotot dhe komentin për pjesëmarrjen e saj në takimin e Kishës “Ungjilli i Krishtit”, mbase shumë prej fansave të saj i shkrojtën: “Të lumtë!”; “Ide brilante!”; “Jemi me ty.”; “Ah, sa mirë ia bëre pastor Akilit!”; “Atë meriton kisha!”; ose mesazhe të ngjashme me këto. -“Erdhëm me mendje të hapur, se mos ndryshonim duke dëgjuar Akilin, por hiç…
Mbetëm përsëri lesbike e gej”-shkruan Xheni në statusin e saj. Për shumë prej nesh mund të kishte qenë mbushamendëse deklarata e saj nëse nuk do të shikonim fotot që ajo vetë ka postuar, të cilat e “tradhëtojnë” dhe ia vënë në dyshim sinqeritetin.
Kush do ta besojë që Xheni dhe banda e saj kanë shkuar me mendje të hapur në kishë, kur shikon maskat propaganduese që kanë vendosur gjatë gjithë kohës në takimin e kishës?
Cili nga ne mund ta besojë sinqeritetin e saj kur ballafaqohet me foton e puthjes me të dashurën e saj para godinës së kishës? Cili nga ne nuk do ta kuptonte provokimin e mirëmenduar në çdo detaj?
Në të vërtetë tregohet qartë që Xheni ka shkuar në kishë me mendje të mbyllur. Dikush mund të thotë plot zemërim: “Ju të krishterët jeni naivë! Si nuk i kuptoni qëllimet e saj?
Si e lejoni në kishë një grup të tillë?” Jo, nuk besoj se kemi të bëjmë me naivitet. Edhe nëse Xheni dhe banda e saj kanë qëllime provokuese dhe ofenduese, kjo nuk është aspak surprizë për të krishterët. Kisha është vendi i duhur ku mund të shkojnë ata persona që nuk i kanë motivet të pastra (me shpresën se aty do të transformohen).
Kujtoni se si Jezusi e mbajti Juda Iskariotin në rrethin e ngushtë të dishepujve për tri vite edhe pse e njihte mirë qëllimin e tij për ta tradhëtuar.
Për fat të keq është plotësisht e mundur që Xheni të shkojë edhe një mijë herë të tjera në kishë si lesbike dhe të dalë prej andej ashtu siç ishte, madje edhe më e ngurtësuar, nëse i mungon gatishmëria për të ndryshuar. Ata që i bien kitarës e dinë shumë mirë se, në momentet e para teksa mësojnë notat u dhembin majat e gishtave. Çfarë ndodh nëse vazhdojnë të luajnë?
Me kalimin e kohës gishtat e tyre do të ndiejnë gjithmonë e më pak dhimbje, derisa një ditë të formohen kallo dhe praktikisht nuk ndiejnë asnjë dhimbje kur majat e gishave prekin telat e kitarës.
Nuk është aspak çudi që një fenomen i ngjashëm t’i ndodhë edhe ndërgjegjies njerëzore. Sa më shumë e mbysim zërin e ndërgjegjes kur na sinjalizon se ka diçka të gabuar në sjelljen tonë, aq më pak ka për të reaguar ky zë i brendshëm në vazhdim ndaj së njëjtës sjellje.
Vjen një moment kur edhe ndërgjegja zë ‘kallo’. Bibla flet shpesh për raste të tilla. Xheni e mbyll postimin e saj duke cituar vargjet biblike për dashurinë, që mbase i kishte dëgjuar në takimin e kishës.
‘‘Tani, pra, këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria; por më e madhja nga këto është dashuria” (1 Kor. 13). Me shumë mundësi Xheni nuk e di që Zoti i Biblës është jo vetëm Zoti i dashurisë, por edhe i drejtësisë. I njëjti Zot që promovon atë nocion dashurie sakrifikuese që citon Xheni, në po atë libër dënon edhe sjelljen homoseksuale që Xheni praktikon.
Në Letrën Drejtuar Korintasve, ku gjenden vargjet e famshme për dashurinë, në Kapitullin e 6-të, ne lexojmë këto fjalë: «Apo nuk e dini se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u mashtroni! As kurvarët, as idhujtarët, as ata që bëjnë tradhti bashkëshortore, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmitarët, as pijanecët, as shpifësit, as zhvatësit nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.»
1 Korintasve 6:9-10 Mund te jetë surprizë për Xhenin, por Zoti i Biblës është plot dashuri dhe njëkohësisht i rreptë në drejtësi.
Ashtu si në çdo marrëdhënie dashurie nuk ka falje pa pendim, po ashtu Perëndia i dashurisë është gati të shpalosë faljen e Tij mbi të gjithë mëkatarët, por ata më së pari duhet të bien dakort që rruga e tyre është e gabuar dhe ta lëshojnë veten në mëshirën e tij.
Për sa kohë që Xheni nuk i jep Krijuesit atributin e përcaktimit të standartit të së drejtës dhe së gabuarës, por e vendos vetë, nuk pritet që të ndryshojë mendim edhe po shkoi në kishë çdo të dielë.