
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka mbërritur në Prishtinë ku është takuar me zyrtarët më të lartë të vendit. Në një konferencë për shtyp me homologen Vjosa Osmani, kreu i shtetit kroat deklaroi se Ballkani i Hapur do të ishte një nismë e pakuptimtë nëse nuk e trajton Kosovën si shtet të barabartë me palët e tjera.
ZORAN MILANOVIQ
PRESIDENT I KROACISE
“Nëse iniciativa ka qëllime të mira atëherë duhet marrë në konsideratë me kusht që të merret parasysh që të gjitha shtetet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Nëse është e kundërta, atëherë duhet pyetur se cilat janë motivet.”
Në këtë kontekst, presidentja e Kosovës ka theksuar se Kosova insiston që bashkëpunimi rajonal të vazhdojë në kornizën e Procesit të Berlinit.
VJOSA OSMANI
PRESIDENTE E KOSOVES“Kosova e ka bërë të qartë që alternativa e vetme që e shohim për të ecur drejt strukturave euro-atlantike, është duke qenë pjesë e Procesit të Berlinit, ku që nga fillimi ka vlejtur parimi i barazisë dhe parimi i gjithëpërfshirjes. Në momentin që Serbia heq dorë nga tendencat destabilizuese ndaj rajonit, në momentin që Serbia e njeh Kosovën si realitet i pakthyeshëm, si realitet që po ecë përpara dhe assesi nuk do të kthehet prapa, atëherë dikush mund ta marrë seriozisht deklaratën e (presidentit të Serbisë, Alleksandar) Vuçiqit se i intereson bashkëpunimi rajonal”.
Advertisement
Presidenti kroat premtoi se do të punojë që pavarësia e Kosovës të njihet edhe nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, ndërsa theksoi se edhe Beogradi duhet të veprojë njësoj.