
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar një sërë masash të reja për përballimin e krizës energjetike dhe të çmimeve, në vlerën e 350 milion eurove.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski është shprehur se inflacioni dhe kriza energjetike që ka tronditur vendin, po sjell pasoja të ngjashme në të gjithë Evropën. Ai thekson se mbrojtja e standardit të jetesës së qytetarëve mbetet prioritet.
Ndërkohë, 42 mijë qytetarë, në ndihmë sociale do të marrin 3 mijë denarë në 4 muajt e ardhshëm, në një total prej 12 mijë denarësh, ekuivalentin e 200 eurove.
Subvencione do të ketë edhe për pensionistët me 100 euro në 4 muaj. Nga kjo masë preken 156 mijë pensionistë në shtetin fqinj. Sipas qeverisë maqedonase, do të ketë subvencione edhe për faturat e energjisë elektrike për familjet, por edhe për kompanitë. Ndërsa 53 milionë euro do të shkojnë për bujqit.
Parimi kryesor i pakete anti-krizë është që kostot e produkteve të shportës, të mos rriten më tej.
Në dispozicion janë vënë fondet për bizneset që kanë mungesë likuiditeti. Në konferencën për shtyp kryeministri Kovaçevski bëri me dije se nga fillimi i krizës janë ndarë rreth 750 milionë euro për mbështetjen e qytetarëve.