
Numri i viktimave në rajonin verior të Italisë, Emilia Romagna ka shkuar në 14 ndërsa ka ende persona që rezultojnë të zhdukur.
Disa ditë pas nisjes së reshjeve kur rajoni ende nuk është çliruar nga uji, alarmi i kuq do të vazhdojë të mbetet aktiv edhe për dtën e shtunë.
Reshje të reja dhe intensive priten gjatë orëve në vijim në qytetet Bolonja dhe Rimini.
Mbi 10 mijë qytetarë janë shpërngulur nga banesat e tyre dhe dëmet materiale janë përllogaritur të shkojnë në miliona euro.
Një pjesë e zonave të prekura vijojnë të jenë pa energj elektrike dhe ujë të pijshëm.
Emergjenca të lidhura me motin e keq janë shpallur në të gjithë Evropën.
Bosnje Hercegovina ka shpallur gjithashtu gjendjen e jashtëzakonshme si pasojë e përmbytjeve. Edhe në Serbi e Kroaci ka patur vërshime masive të ujit por fatmirësisht pa dëme në njerëz.
Përmbytjet vijnë pas një periudhe të zgjatur thatësire që ka prekur pjesën më të madhe të Europës Jugore, përfshirë pjesë të Spanjës dhe Portugalisë.