
Me tre tituj fituar, Zvicra qëndron mjaft mirë në historinë e Eurovizionit, ndonëse mbetet larg rekordit prej shtatë fitoreve të Suedisë dhe Irlandës.
Për shkak të fitores së artistit Nemo në vitin 2024, edicioni i 69-të i Eurovizionit po mbahet këtë vit në Bazel. Me tre fitore në total, Zvicra ka një performancë të respektueshme, edhe pse është larg liderëve historikë, Suedisë dhe Irlandës, me nga shtatë fitore secila.
Më 13 dhe 15 maj do të mbahen gjysmëfinalet, ndërsa finalja e madhe do të zhvillohet të shtunën më 17 maj. Kjo ngjarje e shumëpritur do të zhvillohet në Bazel, në ndjekje të fitores së artistit nga Biel, Nemo, në Malmö të Suedisë, në vitin 2024, transmeton albinfo.ch.
Retrospektiva historike
Fitorja e fundit e Zvicrës para Nemos ishte në vitin 1988, kur Céline Dion, përfaqësuese e Zvicrës, triumfoi me këngën “Ne partez pas sans moi”. Edicioni pasues u mbajt në Lozanë, në Palais de Beaulieu.
Kush ka fituar më shpesh?
Që nga themelimi i konkursit në vitin 1956 në Lugano, Suedia dhe Irlanda ndajnë vendin e parë me nga 7 fitore secila. Zvicra ndodhet në vendin e katërt me 3 fitore, bashkë me Danimarkën, Italinë, Norvegjinë dhe Ukrainën.
Në total, 27 shtete kanë marrë pjesë të paktën një herë, përfshirë edhe ish-Jugosllavinë. Rreth 20 shtete ende nuk kanë shijuar fitoren, si Malta, Hungaria, Kroacia, Polonia dhe Islanda.
Në vitin 1969, ndodhi një barazim katërpalësh mes Spanjës, Francës, Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Performanca sipas efikasitetit
Një tjetër mënyrë për të vlerësuar suksesin është raporti fitore/pjesëmarrje. Ukraina kryeson këtë listë alternative me 3 fitore në vetëm 20 pjesëmarrje – një fitore çdo 7 edicione. Pas saj vjen Luksemburgu me 5 fitore në 39 pjesëmarrje dhe Irlanda me 7 fitore në 58 edicione.
Zvicra, pjesëmarrëse që nga viti 1956, renditet e 14-ta me 3 fitore në 65 pjesëmarrje – një fitore çdo 22 edicione.
Viti i pandemisë dhe sistemi i pikëve
Viti 2020 shënoi anulimin e parë në historinë e Eurovizionit për shkak të pandemisë COVID-19.
Që nga viti 2016, është vendosur një sistem i ri pikëzimi: çdo vend jep dy grupe pikësh – një nga juria profesionale dhe një tjetër nga publiku. Kjo ka sjellë më shumë tension dhe emocion në shpalljen e rezultateve, duke ndarë mendimin e ekspertëve nga ai i shikuesve.
Për më tepër, që nga viti 2023, edhe vendet jo-pjesëmarrëse mund të votojnë online – duke shtuar një kategori të re, “Pjesa tjetër e botës”.
Italia, lider në pikë pas 2016
Që nga vendosja e sistemit të ri të pikëve:
Italia kryeson me 2648 pikë
Suedia: 2517 pikë
Ukraina: 2391 pikë
Franca: 1735 pikë
Zvicra: 1557 pikë
Në vitin 2017, Portugalia theu rekordet duke grumbulluar 758 pikë me këngën “Amar pelos dois”.
The post Shtetet që bëjnë histori në Eurovizion dhe ato që ende ëndërrojnë për fitore appeared first on Albinfo.