
Gjiganti teknologjik Samsung ka reaguar ndaj padisë së ngritur nga këngëtarja me origjinë shqiptare Dua Lipa, e cila e akuzon kompaninë për përdorim të paautorizuar të imazhit të saj në paketimet e televizorëve, transmeton albinfo.ch.
Në një deklaratë për Billboard, Samsung tha se fotografia e artistes ishte përdorur gjatë vitit 2025 përmes përmbajtjeve të një partneri të tretë të shërbimit “Samsung TV Plus”, duke pretenduar se kishte marrë garanci se të gjitha lejet e nevojshme ishin siguruar.
Kompania mohoi se ka pasur ndonjë qëllim për keqpërdorim dhe theksoi se respekton të drejtat e pronësisë intelektuale të artistëve.
Ndërkohë, avokatët e Dua Lipës kanë ngritur padi në gjykatën federale në Los Angeles, duke pretenduar se imazhi i saj është përdorur pa leje dhe pa kompensim financiar në një fushatë marketingu në SHBA gjatë viteve 2025 dhe 2026.
Sipas padisë, pala e artistes kërkon 15 milionë dollarë dëmshpërblim, duke e cilësuar rastin si shkelje serioze të të drejtave të saj dhe të përdorimit të imazhit për përfitime komerciale./Albinfo.ch
The post Samsung reagon ndaj padisë së Dua Lipës appeared first on Albinfo.