
Muzikanti, organizatori kulturor dhe Drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Isah Mustafa, po merr pjesë në një vizitë studimore në Festivalin e Avignon-it në Francë, një nga festivalet më prestigjioze të teatrit në botë, i cili këtë vit shënon 80-vjetorin e themelimit, transmeton albinfo.ch.
Mustafa, i cili njihet edhe si bas-kitarist i grupit “Gillespie”, e cilësoi pjesëmarrjen në këtë ngjarje si një nder dhe një mundësi të çmuar për zhvillimin e tij profesional. Ai theksoi se vizita po i mundëson të ndjekë nga afër shfaqje teatrore të nivelit më të lartë, të njihet me praktika të reja artistike dhe të shkëmbejë përvoja me profesionistë të kulturës nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës.
Gjatë festivalit, ai pati mundësinë të ndjekë dy produksione të vlerësuara ndërkombëtarisht: “Un Procès”, me regji të Christiane Jatahy dhe interpretimin e aktorit brazilian Wagner Moura, si dhe “Oiseau”, me interpretimin e aktores franceze Isabelle Huppert.
Mustafa shprehu mirënjohje për Ambasadën e Francës në Kosovë për mundësimin e kësaj vizite studimore, duke theksuar se përvoja të tilla forcojnë bashkëpunimin kulturor dhe shërbejnë si frymëzim për të sjellë ide dhe praktika të reja në zhvillimin e jetës kulturore në Kosovë.
Ai vlerësoi se pjesëmarrja në një festival të këtij niveli krijon mundësi për ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për pasurimin e skenës kulturore në Kosovë. /Albinfo.ch/
The post Isah Mustafa merr pjesë në Festivalin prestigjioz të Avignon-it në Francë appeared first on Albinfo.