
Një çerek shekulli nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Maqedonia e Veriut rikthen vëmendjen te një prej momenteve më të rëndësishme të historisë.
Marrëveshja e 13 gushtit 2001 i dha fund konfliktit të armatosur dhe vendosi bazat për një model të ri të bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve.
25 vite më pas, mesazhi që përcillet nga institucionet është i njëjtë: dialogu, kompromisi dhe barazia mbeten themeli i stabilitetit të vendit.
“Demokracia nuk matet vetëm përmes zgjedhjeve të lira, por edhe përmes aftësisë së institucioneve për të garantuar gjithëpërfshirjen, përfaqësimin e drejtë, dialogun dhe besimin mes qytetarëve”, tha Bekim Sali, zv.kryeministër i parë
Për autoritetet në Shkup, Ohri nuk është vetëm një kapitull i mbyllur i historisë. Marrëveshja shihet si një përgjegjësi që duhet të vazhdojë të zbatohet përmes institucioneve dhe politikave që garantojnë barazi.
Në ceremoninë e 25-vjetorit, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, e cilësoi marrëveshjen si një standard institucional që duhet të ndërtohet çdo ditë.
“E ardhmja e vendit ndërtohet mbi respektin, barazinë, sundimin e ligjit dhe dinjitetin e çdo qytetari.”
Por 25 vite pas marrëveshjes, debati nuk është vetëm për atë që u arrit në vitin 2001, por edhe për atë që mbetet për t’u bërë.
Përfaqësuesit e qeverisë theksojnë nevojën që e ardhmja e vendit të mos përcaktohet më nga ndarjet etnike dhe tensionet politike, por nga zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe mirëqenia e qytetarëve.
“Marrëveshja Kornizë është një kapitull i historisë sonë që dëshmon se kemi mësuar të jetojmë së bashku, por njëkohësisht është edhe detyrim t’u lëmë brezave të ardhshëm një shtet më të drejtë, të bashkuar dhe më të begatë.”
Marrëveshja e Ohrit ndryshoi mënyrën se si funksionon shteti dhe vendosi në qendër përfaqësimin e komuniteteve, përdorimin e gjuhëve dhe barazinë e qytetarëve.
Sot, pas 25 vitesh, sfida mbetet që këto parime të mos jenë vetëm pjesë e një marrëveshjeje historike, por të përkthehen në funksionimin e përditshëm të institucioneve.