
Nga 9 deri më 13 shtator, Berna do të jetë sërish nikoqire e festivalit Kino Kosova, i cili këtë vit shënon edicionin e shtatë. Nga një nismë e vogël e nisur në vitin 2020, festivali është shndërruar në një platformë që bashkon filmin, artin, diasporën dhe publikun zviceran, duke krijuar ura mes Kosovës, Zvicrës dhe skenës ndërkombëtare.
Në një intervistë për albinfo.ch, Sabahat Meta flet për rrugëtimin e Kino Kosova-s, programin e këtij viti, praninë e kineastëve nga Kosova, bashkëpunimet ndërkombëtare, rolin e diasporës shqiptare dhe sfidat me të cilat përballet festivali.
albinfo.ch: Z. Meta, Kino Kosova arrin sivjet në edicionin e shtatë. Si do ta përshkruanit rrugëtimin e festivalit nga edicioni i parë deri më sot?
Sabahet Meta: Ka qenë një rrugëtim vërtet i jashtëzakonshëm. Kino Kosova filloi në vitin 2020, gjatë kohës së pandemisë, me një ide të thjeshtë: të krijonte një hapësirë ku filmat nga Kosova dhe diaspora e saj të mund të shfaqeshin dhe të diskutoheshin. Edicioni i parë u mbajt në një lokacion të vetëm dhe u organizua nga vetëm dy persona.
Që atëherë, festivali është rritur në shumë drejtime. Sot, Kino Kosova zhvillohet në disa lokacione të ndryshme në Bernë dhe organizohet nga një ekip prej dhjetë personash, të cilët angazhohen për festivalin gjatë gjithë vitit. Festivali mbështetet çdo vit nga komuniteti ynë i mrekullueshëm i Kino Kosova-s dhe nga një grup i përkushtuar prej rreth 30 vullnetarësh, të cilët angazhohen gjatë ditëve të festivalit. Me kalimin e viteve, kemi krijuar gjithashtu një rrjet gjithnjë në rritje të anëtarëve dhe mbështetësve të festivalit, të cilët janë bërë pjesë e rëndësishme e Kino Kosova-s dhe e këtij rrugëtimi.
Gjatë viteve, kemi pasur mundësinë të bashkëpunojmë dhe të mirëpresim partnerë nga disa prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Evropë, përfshirë International Thessaloniki Film Festival, Sarajevo Film Festival dhe DocLisboa. Këtë vit, jemi veçanërisht të lumtur për bashkëpunimin me SIFF – Seoul Independent Film Festival. Në të njëjtën kohë, kemi zhvilluar partneritete të forta me festivale të tjera në Zvicër dhe, natyrisht, me DokuFest në Prizren, i cili ka qenë një partner dhe frymëzim i rëndësishëm që nga fillimi.
Ajo që është veçanërisht emocionuese është se Kino Kosova është rritur përtej një festivali që zhvillohet vetëm një herë në vit. Tashmë kemi edhe një edicion në Cyrih dhe kemi filluar të zhvillojmë projekte të tjera gjatë gjithë vitit. Këtu përfshihet programi ynë Artist in Residency, përmes të cilit çdo vit mirëpresim në Bernë artistë vizualë nga Kosova për një periudhë prej dy muajsh, si dhe projekti Re-Connect, i zhvilluar në bashkëpunim me DokuFest, që bashkon të rinj nga Kosova dhe Zvicra përmes realizimit të filmave dhe shkëmbimit kulturor.
Kur e kujtoj rrugëtimin e deritanishëm, mendoj se ajo për të cilën jam më së shumti krenar nuk është vetëm rritja e festivalit, por edhe komuniteti që është krijuar rreth tij. Ajo që filloi si një ide e vogël në një kohë shumë të pasigurt, sot është shndërruar në një platformë për filma, artistë, diskutime, bashkëpunime dhe takime.
Sigurisht, ka ende një rrugë të gjatë përpara. Ne vazhdojmë të mësojmë, të zhvillohemi dhe të përpiqemi të ndërtojmë një të ardhme më të qëndrueshme për festivalin. Por arritja e edicionit të shtatë është padyshim një moment për të reflektuar mbi rrugëtimin që kemi bërë deri tani dhe njëkohësisht për të parë përpara, drejt gjithçkaje që ende na pret.

albinfo.ch: Çfarë e karakterizon edicionin e vitit 2026 dhe çfarë e dallon atë nga edicionet e mëparshme?
Sabahet Meta: Edicioni i vitit 2026 përfaqëson një kapitull të ri dhe të rëndësishëm për festivalin Kino Kosova. Ndërsa vazhdojmë të jemi të lidhur fort me rrënjët tona dhe me kinematografinë nga Kosova dhe diaspora, festivali gradualisht është shndërruar në një pikëtakim mes kulturave, perspektivave artistike dhe komuniteteve të ndryshme.
Një nga gjërat që vazhdon të na frymëzojë është vetë diaspora shqiptare. Është një komunitet jashtëzakonisht dinamik dhe i larmishëm, që mbart identitete, gjuhë dhe përvoja të ndryshme, duke ruajtur njëkohësisht një lidhje të fortë me rrënjët e veta. Ekziston një brez kineastësh, artistësh dhe organizatorët kulturorë që janë rritur mes vendeve të ndryshme, dhe kjo sjell perspektiva dhe rrëfime shumë interesante. Ne duam që Kino Kosova të jetë një vend ku këta zëra mund të takohen – jo vetëm mes vete, por edhe me publikun zviceran dhe ndërkombëtar.
Ajo që e dallon veçanërisht edicionin e këtij viti është dialogu ndërkombëtar që po krijojmë rreth këtyre perspektivave. Këtë vit, Koreja e Jugut është vendi mysafir në fokus, në bashkëpunim me Seoul Independent Film Festival. Në shikim të parë, Kosova dhe Koreja e Jugut mund të duken si dy vende shumë të ndryshme, por përmes kinemasë zbulojmë pyetje dhe tema të përbashkëta rreth identitetit, përkatësisë, migrimit, ndryshimeve shoqërore dhe përvojave të brezave të rinj.
Në të njëjtën kohë, festivali po bëhet shumë më tepër sesa një seri shfaqjesh filmash. Përmes diskutimeve, takimeve artistike, programit tonë të rezidencës dhe bashkëpunimeve me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, duam të krijojmë një hapësirë ku njerëzit vërtet takohen dhe shkëmbejnë ide.
albinfo.ch: Festivali zhvillohet nga 9 deri më 13 shtator në Bernë. Çfarë duhet të presë publiku gjatë këtyre pesë ditëve?
Sabahet Meta: Para së gjithash, një përzgjedhje shumë të mirë të filmave. Gjatë këtyre pesë ditëve duam që publiku të zbulojë histori dhe perspektiva që ndoshta nuk ka mundësi t’i hasë lehtë diku tjetër – nga Kosova dhe diaspora, Zvicra, Koreja e Jugut dhe vende të tjera.
Por Kino Kosova nuk ka të bëjë vetëm me shikimin e filmave. Një pjesë shumë e rëndësishme e festivalit është mundësia për t’i takuar kineastët dhe artistët personalisht, për t’i dëgjuar duke folur për punën e tyre, procesin krijues dhe idetë që qëndrojnë pas filmave. Për ne, këto biseda janë pothuajse po aq të rëndësishme sa vetë shfaqjet, sepse i japin publikut mundësinë të krijojë një lidhje tjetër me filmin.
Publiku mund të presë gjithashtu diskutime në panel, biseda me artistë dhe ngjarje të tjera, por edhe shumë momente joformale. Qendra jonë e Festivalit në PROGR është një pjesë shumë e rëndësishme e festivalit Kino Kosova. Është një vend ku mund të takoni kineastë dhe mysafirë, të vazhdoni një diskutim apo thjesht të kaloni kohë së bashku. Shpesh, disa nga bisedat më interesante lindin spontanisht, jashtë sallës së kinemasë.
Prandaj do të thosha: ejani për filmat, por qëndroni për njerëzit dhe atmosferën.

albinfo.ch: Në program këtë vit janë filma jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Koreja e Jugut, Zvicra dhe vende të tjera. Cila është ideja pas këtij dimensioni gjithnjë e më ndërkombëtar të festivalit?
Sabahet Meta: Ideja është të krijojmë dialog përmes kinemasë. Kosova dhe diaspora e saj mbeten në zemër të Kino Kosova-s, por duam që këto histori të hyjnë në dialog me kultura dhe perspektiva të ndryshme. Duke sjellë filma dhe kineastë nga Koreja e Jugut, Zvicra dhe vende të tjera, krijojmë lidhje të reja dhe zbulojmë se, pavarësisht prejardhjeve të ndryshme, shumë nga pyetjet dhe përvojat që ndajmë janë universale.
albinfo.ch: Si bëhet përzgjedhja e filmave dhe cilat janë kriteret kryesore që duhet të plotësojë një film për të qenë pjesë e Kino Kosova?
Sabahet Meta: Përzgjedhja fillon nga cilësia artistike e filmit dhe lidhja e tij me temën dhe drejtimin kuratorial të festivalit. Filma me rrëfim të fuqishëm, perspektiva origjinale dhe diçka domethënëse për të thënë. Kur bëhet fjalë për kineastë të rinj dhe në zhvillim, vlerësojmë gjithashtu potencialin, ide të fuqishme, një zë autentik apo një mënyrë e re e të treguarit të një historie është po aq e rëndësishme sa përsosmëria teknike.
Në të njëjtën kohë, Kino Kosova duhet të jetë një hapësirë e hapur dhe me dialog. Nuk u japim hapësirë propagandës apo filmave, narrativat e të cilëve promovojnë diskriminim, urrejtje ose përjashtime. Jemi të interesuar në një kinema që na sfidon, nxit diskutim dhe i trajton temat me integritet artistik dhe respekt.
albinfo.ch: Sa hapësirë u kushtohet këtë vit kineastëve të rinj dhe produksioneve të reja nga Kosova?
Sabahet Meta: Kineastët e rinj dhe produksionet e reja nga Kosova zënë një vend të rëndësishëm në programin tonë. Kino Kosova synon të sjellë së bashku emra të afirmuar dhe një brez të ri kineastësh, duke u dhënë hapësirë talenteve të reja që eksperimentojnë me gjuhë të reja kinematografike, forma jokonvencionale dhe mënyra të guximshme të rrëfimit. Na interesojnë veçanërisht kineastët e rinj që trajtojnë tema të rëndësishme shoqërore dhe kulturore dhe sjellin perspektiva të reja në kinemanë bashkëkohore. Projekti ynë Re-Connect në bashkëpunim me Dokufest-in, ku të rinjtë krijojnë dhe prezantojnë filmat e tyre, tregon më së miri se sa e rëndësishme është për ne mbështetja e brezit të ardhshëm të kineastëve.
albinfo.ch: Përtej filmave, programi përfshin diskutime, takime me artistë, ekspozitë dhe aktivitete të mbrëmjes. Sa e rëndësishme është që Kino Kosova të jetë një platformë kulturore më e gjerë dhe jo vetëm një festival filmi?
Sabahet Meta: Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Festivali nuk ka të bëjë vetëm me shikimin e filmave, por edhe me takimin mes njerëzve dhe bisedat rreth ngjarjeve dhe pyetjeve që filmat sjellin me vete. Kjo është diçka që ne e çmojmë shumë në Kino Kosova, sepse e bën përvojën e festivalit më të plotë.
Diskutimet, takimet me artistë, ekspozitat dhe momentet joformale krijojnë hapësirë që idetë të vazhdojnë edhe përtej sallës së kinemasë. Nga përvoja jonë, shumë prej lidhjeve, ideve të reja dhe bashkëpunimeve që kanë lindur përmes festivalit Kino Kosova kanë filluar pikërisht në këto hapësira dhe biseda joformale. Prandaj, festivalin nuk e shohim vetëm si një vend ku shfaqen filma, por si një platformë kulturore për shkëmbim, dialog dhe krijimin e lidhjeve të reja.

albinfo.ch: A do të ketë këtë vit regjisorë, aktorë apo producentë nga Kosova të pranishëm në Bernë? Cilët janë disa nga mysafirët që do të veçonit?
Sabahet Meta: Po, patjetër. Jemi shumë të lumtur që këtë vit në Bernë do të mirëpresim një grup të madh kineastësh, aktorësh, producentësh dhe artistësh nga Kosova. Në mesin e mysafirëve tanë janë Parta Kelmendi, regjisore e filmit Era; aktori dhe producenti Edon Rizvanolli; Ermal Gerdovci, regjisor i Sytë e Bernës; Zgjim Terziqi, regjisor i Odiseja e Gëzimit; Eroll Bilibani, producent në DokuFest; Ujkan Hysaj, regjisor i filmit Hana; Erlisë Beqiri, regjisore e Prej 6 deri në 5; Valmira Hyseni, regjisore e Keep Going, dhe disa të tjerë.
Përtej kinemasë, jemi gjithashtu shumë të lumtur të kemi me ne artisten tonë në rezidencë, Laureta Hajrullahu, si dhe DJ artistin Altin Boshnjaku. Prania e tyre është një pjesë e rëndësishme e festivalit, sepse i jep publikut mundësinë t’i takojë personalisht, të dëgjojë perspektivat e tyre dhe të bashkëbisedojë me ta gjatë festivalit.

albinfo.ch: Kinematografia e Kosovës ka shënuar suksese të rëndësishme ndërkombëtare gjatë viteve të fundit. Si e shihni pozitën e filmit kosovar sot në skenën evropiane dhe ndërkombëtare?
Sabahet Meta: Mendoj se kinematografia e Kosovës sot ka një pozicion shumë të fortë dhe premtues në skenën ndërkombëtare, veçanërisht duke marrë parasysh madhësinë e vendit dhe industrinë relativisht të re të filmit. Për një vend të vogël si Kosova, kinemaja dhe arti janë një mundësi e jashtëzakonshme për t’u bërë të dukshëm globalisht, jo vetëm për të treguar se nga vijmë, por edhe për të ndarë historitë, përvojat dhe perspektivat tona me botën.
Tashmë kemi parë arritje që kanë lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare të filmit. Filmi Zgjoi (Hive) i Blerta Bashollit fitoi tri çmime të rëndësishme në Sundance në vitin 2021. Çmimin e Madh të Jurisë, Çmimin për Regji dhe Çmimin e Publikut në kategorinë World Cinema Dramatic, duke u bërë filmi i parë në historinë e Sundance që i fitoi të tria çmimet në këtë kategori.
Një tjetër sukses historik ishte filmi Vera Dreams of the Sea (Vera Andërron Detin) i Kaltrina Krasniqit, i cili fitoi Tokyo Grand Prix, çmimin kryesor të Tokyo International Film Festival. Filmi shënoi pjesëmarrjen e parë të Kosovës në garën zyrtare të këtij festivali. Për një kinematografi kaq të re, kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe një tjetër dëshmi se historitë nga Kosova mund të prekin publikun dhe juritë në mbarë botën.
Filmat nga Kosova tashmë janë rregullisht të pranishëm në festivale të mëdha ndërkombëtare, dhe besoj se ky sukses vjen nga cilësia dhe guximi i kineastëve tanë. Kemi regjisorë, aktorë dhe profesionistë të jashtëzakonshëm të filmit, por mbi të gjitha kemi histori të fuqishme. Shumë prej tyre vijnë nga përvoja shumë personale dhe tregohen me sinqeritet dhe nga zemra. Pikërisht ky autenticitet bën që ato të mund të udhëtojnë shumë përtej Kosovës.
Kjo dëshmon se një vend nuk ka nevojë të jetë i madh për të pasur një zë të fuqishëm kulturor. Përmes kinemasë, Kosova ka arritur të krijojë një dukshmëri dhe njohje të rëndësishme ndërkombëtare, dhe kjo është diçka për të cilën mund të jemi shumë krenarë.

albinfo.ch: Kino Kosova zhvillohet në Bernë, në një vend me një komunitet të madh shqiptar. Sa është i pranishëm publiku shqiptar në festival dhe sa keni arritur të tërhiqni edhe publikun zviceran?
Sabahet Meta: Komuniteti shqiptar është shumë i pranishëm në Kino Kosova dhe është shumë bukur të shohim një publik ndërbrezor që mblidhet së bashku. Kemi të rinj, familje, por edhe gjenerata më të moshuara dhe pensionistë nga diaspora shqiptare që ndajnë të njëjtat hapësira të festivalit. Në të njëjtën kohë, një pjesë e konsiderueshme e publikut tonë vjen nga komuniteti zviceran, si dhe nga komunitete të tjera që jetojnë në Zvicër, gjë që na gëzon shumë.
Ne bëjmë një përpjekje të vetëdijshme që festivali të jetë sa më i qasshëm dhe gjithëpërfshirës. Filmat shfaqen në gjuhën e tyre origjinale me titra në gjermanisht dhe anglisht, duke u mundësuar njerëzve me prejardhje të ndryshme gjuhësore dhe kulturore ta përjetojnë programin së bashku.
Ky diversitet reflektohet edhe në komunitetin tonë të vullnetarëve. Që nga fillimi, shumica e vullnetarëve tanë vijnë nga diaspora shqiptare, por kemi pasur gjithashtu vullnetarë zviceranë, portugezë, boshnjakë dhe nga komunitete të tjera. Për ne, kjo përzierje është një pjesë shumë e rëndësishme e Kino Kosova-s: Është një hapësirë e hapur ku komunitete të ndryshme mund të takohen, të njihen dhe të ndajnë përvoja përmes kinemasë.
albinfo.ch: A e shihni festivalin edhe si një urë mes Kosovës dhe Zvicrës, veçanërisht në fushën e kulturës dhe filmit?

Sabahet Meta: Absolutisht. Festivalin e shohim si një urë kulturore mes Kosovës dhe Zvicrës, që afron kineastë, artistë, publikun dhe institucionet kulturore të të dy vendeve. Përmes kinemasë dhe artit mund të krijojmë lidhje të rëndësishme, të shkëmbejmë përvoja dhe të hapim rrugë për bashkëpunime të reja në të ardhmen.
albinfo.ch: Çfarë roli mund të luajë diaspora shqiptare në promovimin ndërkombëtar të kulturës dhe kinematografisë së Kosovës?
Sabahet Meta: Diaspora shqiptare tashmë luan një rol të rëndësishëm në promovimin ndërkombëtar të kulturës së Kosovës. Ka shumë kineastë dhe artistë nga diaspora që vazhdojnë të jenë shumë të lidhur me rrënjët e tyre dhe që Kosovën, historitë dhe përvojat e saj i sjellin në punën e tyre artistike. Në këtë mënyrë, ata krijojnë natyrshëm lidhje mes Kosovës dhe vendeve ku jetojnë dhe veprojnë. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për diasporën shqiptare në Zvicër, por për diasporën në përgjithësi, kudo që jeton.
Diaspora tashmë merr pjesë dhe e mbështet skenën kulturore të Kosovës, por gjithmonë ka hapësirë për të bërë edhe më shumë. Kultura është një pjesë e rëndësishme e identitetit dhe mendoj se të gjithë mund të kontribuojmë duke folur për dhe duke promovuar arritjet kulturore të Kosovës.

albinfo.ch: Pas shtatë edicionesh, sa është bërë Kino Kosova një pikë takimi mes kineastëve kosovarë, zviceranë dhe atyre ndërkombëtarë?
Sabahat Meta: Mendoj se Kino Kosova është bërë tashmë një pikëtakim. Gjatë viteve kemi sjellë së bashku kineastë dhe artistë nga Kosova dhe diaspora, Zvicra dhe shumë vende të tjera. Disa nga këto takime kanë sjellë miqësi, ide dhe bashkëpunime të reja, dhe pikërisht kjo është ajo që shpresojmë të krijojë festivali ynë.
albinfo.ch: A kanë lindur bashkëpunime konkrete nga këto takime?
Sabahet Meta: Po, patjetër. Kemi pasur kineastë që janë takuar për herë të parë në Kino Kosova dhe më pas kanë vazhduar të bashkëpunojnë, madje edhe duke bashkëregjisuar një film. Ka pasur gjithashtu ide për filma që kanë lindur gjatë festivalit, ku njerëzit që janë njohur këtu më vonë janë bërë pjesë e realizimit të tyre.
Edhe ideja për projektin tonë Re-Connect me DokuFest është diskutuar për herë të parë në Kino Kosova, kur anëtarë të ekipit të DokuFest-it ishin mysafirët tanë në Kino Kosova në Bernë. Përtej projekteve konkrete, nga këto takime kanë lindur shumë miqësi dhe një rrjet i bukur i mbështetjes së ndërsjellë.
Dhe nganjëherë ka edhe shembuj shumë të thjeshtë, por të bukur: kineastë nga Kosova na tregojnë se, edhe pse jetojnë në të njëjtin qytet në Kosovë, për herë të parë takohen dhe kalojnë kohë bashkë pikërisht në Kino Kosova, e ndonjëherë këtu i shohin për herë të parë edhe filmat e njëri-tjetrit. Mendoj se kjo tregon shumë mirë pse hapësira të tilla janë të rëndësishme.

albinfo.ch: Cilat janë sfidat më të mëdha për organizimin dhe financimin e një festivali të këtij formati në Zvicër?
Sabahet Meta: Financimi mbetet sfida jonë më e madhe. Organizimi i një festivali të këtij formati në Zvicër ka kosto të larta, ndërsa sigurimi i fondeve të mjaftueshme çdo vit nuk është asnjëherë i garantuar. Jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që marrim nga institucionet publike, fondacionet, partnerët, sponsorët dhe komuniteti ynë, por krijimi i një stabiliteti financiar afatgjatë mbetet një nga synimet tona kryesore.
albinfo.ch: Nëse do të duhej të veçonit tri arsye pse publiku duhet të vijë në Kino Kosova nga 9 deri më 13 shtator, cilat do të ishin ato?
Sabahet Meta: Do të thosha: filma të mirë, takime frymëzuese dhe një atmosferë e veçantë.
Së pari, për të zbuluar një përzgjedhje të larmishme filmash dhe historish që nuk keni shpesh mundësi t’i shihni diku tjetër. Së dyti, për të takuar kineastë dhe artistë personalisht dhe për të dëgjuar më shumë rreth ideve dhe përvojave që qëndrojnë pas punës së tyre. Dhe së treti, për të përjetuar atmosferën e festivalit Kino Kosova. Takimet joformale, bisedat, muzikën dhe ndjenjën e të qenit pjesë e një komuniteti për pesë ditë.
albinfo.ch: Dhe në fund, cili është mesazhi juaj për shqiptarët në Zvicër dhe publikun zviceran që ende nuk e ka vizituar Kino Kosova?
Sabahet Meta: Për të gjithë ata që ende nuk e kanë vizituar festivalin Kino Kosova: ejani me kureshtje! Zbuloni filma të mirë, takoni njerëz të mrekullueshëm dhe përjetojeni festivalin bashkë me ne. Qofshi shqiptarë, zviceranë apo thjesht dashamirës të filmit, Kino Kosova është e hapur për të gjithë.
The post Sabahet Meta për albinfo.ch: Për 7 vite, Kino Kosova është bërë urë kulturore Kosovë-Zvicër appeared first on Albinfo.