
Edhe këngëtarja Dua Lipa ka reaguar në rrjetet sociale pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, përcjell albinfo.ch.
Lipa ka ripublikuar në Instagram dy postime të babait dhe menaxherit të saj, Dukagjin Lipa. Në njërin prej tyre shfaqet mesazhi “Liria ka emër”, i shoqëruar me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në postimin tjetër janë paraqitur disa shifra që lidhen me pasojat e luftës në Kosovë. Në material thuhet se bëhet fjalë për 1 milion refugjatë, 11 mijë të vrarë, 1,024 fëmijë të vrarë, 20 mijë persona të dhunuar dhe 1,600 persona ende të zhdukur.
Duke i shpërndarë këto materiale në profilin e saj, Dua Lipa ua ka përcjellë përmbajtjen miliona ndjekësve të saj, ndërsa nuk ka bërë një deklaratë të veçantë me tekst lidhur me aktgjykimin.
Reagimi i këngëtares vjen në ditën kur Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe ndaj tij mund të ushtrohet ankesë./Albinfo.ch

The post Dua Lipa reagon pas aktgjykimit në Hagë, shpërndan mesazhin “Liria ka emër” appeared first on Albinfo.