
Mezzosopranoja shqiptare me karrierë ndërkombëtare, Flaka Goranci, do të prezantojë më 25 nëntor, në Tonhalle Zürich, projektin “Echoes of Origin”, një ndërthurje të veçantë të muzikës operistike me tingujt e instrumenteve tradicionale shqiptare. Përtej dimensionit artistik, projekti mbart edhe një mision të rëndësishëm kulturor: ruajtjen e mjeshtërisë së punimit dhe qëndisjes së kostumeve tradicionale arbëreshe. Në këtë intervistë për albinfo.ch, Goranci rrëfen rrugëtimin e saj artistik, lidhjen me identitetin shqiptar, frymëzimin nga trashëgimia arbëreshe dhe përpjekjen për ta përcjellë atë te brezat e ardhshëm.
albinfo.ch: Nga Gjakova në Vjenë dhe në skenat ndërkombëtare të operës. Cilat kanë qenë momentet vendimtare të karrierës suaj?
Flaka Goranci: Kam lindur në Gjakovë, ku janë rrënjët e mia. Studimet dhe formimin artistik i vazhdova fillimisht në Tiranë, më pas në Tel Aviv, ku përfundova studimet master. Më vonë u vendosa në Vjenë, ku jetoj sot me familjen time. Secili prej këtyre qyteteve ka ndikuar në formimin tim artistik dhe personal. Muzika të mban në kërkim të vazhdueshëm, të nxit të mësosh, të krijosh dhe të provosh horizonte të reja. Ky rrugëtim më ka pasuruar jo vetëm si artiste, por edhe si njeri.
albinfo.ch: Si lindi ideja për projektin “Echoes of Origin” dhe çfarë ju shtyu të përqendroheni te trashëgimia arbëreshe?
Flaka Goranci: Muzika shqiptare ka qenë gjithmonë pjesë e rëndësishme e krijimtarisë sime. Pas albumit Albanian Flowers, të realizuar në Austri me muzikantë të Filarmonisë së Vjenës, në projektin Echoes of Origin desha të ndërthurja këngën operistike me tingujt e instrumenteve tradicionale shqiptare, si çiftelia dhe lahuta. Ky projekt më afroi edhe më shumë me rrënjët e mia dhe më zbuloi pasurinë e trashëgimisë arbëreshe, të cilën dua ta sjell më pranë publikut përmes muzikës.
albinfo.ch: Gjatë njohjes me komunitetin arbëresh në Itali, çfarë ju ka lënë më shumë mbresa?
Flaka Goranci: Më ka bërë shumë përshtypje që arbërishtja flitet ende në përditshmëri, më shumë se 500 vjet pas shpërnguljes së arbëreshëve nga trojet shqiptare. Është mbresëlënëse të dëgjosh një gjuhë që ka mbijetuar ndër shekuj, larg vendit të origjinës. Kjo tregon forcën e lidhjes me prejardhjen dhe rëndësinë e gjuhës në ruajtjen e identitetit dhe kujtesës së një populli.
albinfo.ch: Më 25 nëntor do të ngjiteni në skenën e Tonhalle Zürich. Çfarë e bën të veçantë këtë koncert?
Flaka Goranci: Ky koncert na jep mundësinë ta prezantojmë muzikën shqiptare në një nga sallat e njohura të muzikës klasike, Tonhalle Zürich. Por Echoes of Origin nuk kufizohet vetëm te muzika. Përmes këtij projekti duam të ndihmojmë në ruajtjen e traditës së punimit të kostumeve arbëreshe dhe të qëndisjes me fije ari. Ne, artistet, e kemi ndërmarrë këtë nismë, por për ta çuar përpara kemi nevojë edhe për mbështetjen e publikut. Kjo mjeshtëri mund të mbijetojë vetëm nëse krijohen mundësi që ajo të mësohet dhe të përcillet te brezat e rinj.
albinfo.ch: Si do të ndërthuren zëri operistik dhe instrumentet tradicionale shqiptare, si çiftelia, lahuta dhe defi?
Flaka Goranci: Edhe profesionistët kanë pasur dyshime nëse një ndërthurje e tillë është e mundur. Prandaj, nuk dua ta përshkruaj paraprakisht, por t’i ftoj të gjithë ta përjetojnë drejtpërdrejt. Ejani dhe dëgjoni një përvojë muzikore që synon të krijojë një komunikim të ri mes dy botëve artistike.
albinfo.ch: Projekti synon themelimin e një qendre për ruajtjen e mjeshtërisë së kostumeve arbëreshe. Në çfarë faze ndodhet kjo nismë?
Flaka Goranci: Synimi ynë është të krijojmë një qendër ku mjeshtëria e punimit të kostumeve tradicionale arbëreshe dhe qëndisja me fije ari t’u përcillen brezave të rinj. Në Piana degli Albanesi kanë mbetur vetëm tri gra që e ushtrojnë këtë art, i cili rrezikon të humbasë. Shpresojmë që qendra të hapet në fund të marsit 2027, gjatë festimeve të Pashkëve arbëreshe, duke krijuar mundësinë që kjo trashëgimi e çmuar të ruhet dhe të vazhdojë të jetojë.
albinfo.ch: Çfarë rrezikon të humbasë identiteti arbëresh nëse kjo mjeshtëri nuk përcillet te brezat e rinj?
Flaka Goranci: Nëse kjo mjeshtëri shuhet, humbet bashkë me të edhe një pjesë e historisë dhe identitetit arbëresh. Kostumet tradicionale nuk janë vetëm veshje, por punime të rralla artizanale, të krijuara me dorë dhe të qëndisura me fije ari të vërtetë. Emri HORA-ARI lidhet pikërisht me këtë traditë, ku ari zë një vend të veçantë. Me ruajtjen e saj synojmë të mbajmë gjallë jo vetëm kostumet, por edhe njohuritë dhe mjeshtërinë që trashëgohen brez pas brezi.
albinfo.ch: Sa rëndësi ka për ju që në këtë projekt bashkëpunoni me tri artiste shqiptare nga diaspora?

Flaka Goranci: Dëshiroja veçanërisht që pjesë e këtij projekti të ishin gra që interpretojnë instrumente tradicionale, si çiftelia dhe lahuta, të cilat historikisht janë luajtur kryesisht nga burrat. Në këtë mënyrë, Echoes of Origin merr edhe një dimension tjetër: bëhet një hapësirë ku gratë shqiptare në diasporë shprehin talentin, ruajnë traditën dhe dëshmojnë se trashëgimia jonë mund të përcillet edhe përmes zërave dhe interpretimeve të tyre.
albinfo.ch: Çfarë roli prisni nga diaspora shqiptare në Zvicër në mbështetjen e kësaj nisme?
Flaka Goranci: Diaspora shqiptare në Zvicër ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbështetjen e nismave kulturore dhe kombëtare. Duke e vlerësuar këtë përkrahje, kam zgjedhur që rrugëtimin ndërkombëtar të Echoes of Origin ta nis në Zvicër. I ftoj shqiptarët të na bashkohen më 25 nëntor në Tonhalle Zürich, për të përjetuar muzikën shqiptare dhe për të mbështetur ruajtjen e trashëgimisë arbëreshe.
albinfo.ch: Si ka ndikuar jeta në Vjenë në raportin tuaj me identitetin dhe muzikën shqiptare?
Flaka Goranci: Vjena, ku jetoj, si dhe vendet e tjera ku zhvilloj karrierën time, ma kanë thelluar lidhjen me identitetin shqiptar. Sa më shumë jam njohur me kultura të tjera, aq më shumë kam zbuluar vlerën dhe veçantinë e rrënjëve të mia. Sot, muzika shqiptare nuk është për mua vetëm një trashëgimi që e mbaj me vete, por pjesë e pandashme e identitetit tim artistik.
albinfo.ch: Projekti juaj “La Femme” i kushtohet krijimtarisë së grave kompozitore. Çfarë ju shtyu t’i sillni në vëmendje veprat dhe historitë e tyre?
Flaka Goranci: La Femme është një projekt me rëndësi të veçantë në karrierën time. Përmes këtij albumi kam sjellë krijimtarinë e kompozitoreve gra nga vende të ndryshme, duke i dhënë hapësirë një pjese të muzikës që shpesh mbetet në hije. Projekti pati edhe një dimension diplomatik dhe u nominua në tri kategori të çmimeve OPUS KLASSIK. Albumi u publikua nga shtëpia diskografike Naxos Deutschland.
albinfo.ch: Pas përvojës si mezzosoprano dhe regjisore, cilat janë angazhimet dhe synimet tuaja të ardhshme artistike?
Flaka Goranci: Më presin disa angazhime të rëndësishme artistike. Gjatë vitit të ardhshëm do të mbaj koncerte në vende të ndryshme dhe do të debutoj në rolin e Preziosillës në operën La Forza del Destino të Giuseppe Verdit, në festivalin Opera Viva në Zvicër. Ky rikthim ka një domethënie të veçantë për mua, pasi në të njëjtin festival kam interpretuar më parë rolin e Carmenit. Krahas paraqitjeve në skenat ndërkombëtare, dëshiroj të jem e pranishme edhe në skenat shqiptare.
albinfo.ch: A do të vazhdojë “Echoes of Origin” edhe pas koncertit në Zürich?
Flaka Goranci: Echoes of Origin sapo ka nisur dhe dëshira ime është që ta çojmë këtë projekt në skena të ndryshme ndërkombëtare. Synimi është që trashëgimia jonë të mos mbetet vetëm pjesë e së kaluarës, por të ruhet dhe të përcillet te brezat e rinj përmes muzikës.
albinfo.ch: Çfarë mesazhi keni për publikun shqiptar dhe zviceran që do t’ju bashkohet më 25 nëntor në Tonhalle Zürich?
Flaka Goranci: I ftoj të gjithë të na bashkohen në Tonhalle Zürich për këtë mbrëmje kushtuar muzikës dhe trashëgimisë sonë. Do të ishte kënaqësi ta ndajmë këtë përjetim me ju dhe, përmes tij, të sjellim më pranë rrënjët tona e të mbështesim ruajtjen e traditës arbëreshe. Ju pres me shumë dashuri!
Përmes projektit Echoes of Origin, Flaka Goranci e sjell trashëgiminë muzikore shqiptare në një skenë ndërkombëtare, duke e lidhur atë me një përpjekje konkrete për ruajtjen e mjeshtërisë arbëreshe. Koncerti në Tonhalle Zürich është një mundësi për ta dëgjuar këtë ndërthurje artistike dhe për të mbështetur një traditë që meriton të përcillet te brezat e ardhshëm.
Biletat i gjeni në linkun: ECHOES OF ORIGIN in Zürich | Other music genres concert
The post Flaka Goranci: Tingujt shqiptarë në Tonhalle Zürich dhe misioni për të shpëtuar një traditë appeared first on Albinfo.