
Komuniteti shqiptar në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka marrë pjesë në Paradën tradicionale të Komuniteteve, e organizuar në prag të festës së Thanksgiving, duke prezantuar gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare, shkruan albinfo.ch.
Pjesëmarrja u organizua nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, ndërsa aktivitetet nisën me ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar në shkollën shqipe “Gjuha Jonë”.
Në këtë ceremoni, flamuri shqiptar u ngrit nga tre nxënës të shkollës: Luid Pasholli, i klasës së tretë, si dhe Grisea Tanka dhe Gent Vladi, nxënës të klasës së pestë. Përzgjedhja e tyre u bë në shenjë vlerësimi për përkushtimin në mësimin dhe promovimin e gjuhës e kulturës shqiptare.
Pas ceremonisë, nxënësit, prindërit, gjyshërit dhe mësuesit kënduan së bashku himnin kombëtar, ndërsa këngët dhe vallet shqiptare krijuan një atmosferë festive në mesin e pjesëmarrësve.
Më pas, komuniteti shqiptar iu bashkua paradës, ku anëtarët dhe miqtë e shoqatës parakaluan me flamuj kuq e zi dhe kostume tradicionale nga trevat shqiptare. Këngët dhe vallet shqiptare tërhoqën vëmendjen e pjesëmarrësve dhe publikut, duke sjellë një prezantim të trashëgimisë kulturore shqiptare në këtë aktivitet shumëkulturor.
Në njoftimin e publikuar nga shoqata, u vlerësua kontributi i të gjithë pjesëmarrësve, veçanërisht i fëmijëve dhe të rinjve, të cilët përmes angazhimit të tyre ndihmojnë në ruajtjen dhe përcjelljen e identitetit kombëtar te brezat e ardhshëm.
Aktiviteti dëshmoi edhe një herë përkushtimin e komunitetit shqiptar në Filadelfia për të ruajtur lidhjen me gjuhën, traditat dhe rrënjët kulturore, duke qenë njëkohësisht pjesë aktive e jetës shoqërore në SHBA.
Rreth aktivitetit ka raportuar Irma Alicka, mësuese e klasës së parë në shkollën shqipe “Gjuha Jonë”./Albinfo.ch
The post Amerikë: Shqiptarët marrin pjesë në Paradën tradicionale të Thanksgiving appeared first on Albinfo.