
Shfaqja teatrore “Pesë fytyrat e heshtjes”, një produksion i Teatrit “Migjeni” nga Shkodra, është prezantuar në qytetin gjerman të Kölnit, në një mbrëmje kushtuar artit, kulturës dhe ndërgjegjësimit për çështje të ndjeshme shoqërore. Aktiviteti u organizua me iniciativën e URACult, me mbështetjen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Düsseldorf, shkruan albinfo.de.
Shfaqja, e vënë në skenë nën regjinë e Ilir Bokshit dhe me pjesëmarrjen e aktorëve nga Kosova dhe Shqipëria, trajtoi tema si dhuna në familje, abuzimi dhe pasojat që heshtja dhe frika mund të shkaktojnë te individët dhe shoqëria.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Düsseldorf, Behar Isma.
Përmes interpretimit artistik, produksioni përcolli një mesazh për rëndësinë e thyerjes së heshtjes përballë dhunës dhe abuzimit, duke e kthyer teatrin në një hapësirë reflektimi dhe ndërgjegjësimi shoqëror.
Mbrëmja u organizua në prag të 28 Nëntorit, duke shërbyer njëkohësisht si një mundësi për bashkimin e bashkatdhetarëve përmes gjuhës, artit dhe kulturës shqiptare.
Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Düsseldorf ka përgëzuar URACult për organizimin, regjisorin dhe aktorët për interpretimin, si dhe të gjithë partnerët që kontribuuan në realizimin e aktivitetit dhe promovimin e kulturës shqiptare në Gjermani./Albinfo.de
The post Shfaqja “Pesë fytyrat e heshtjes” sjell në Köln një mbrëmje teatrore me mesazh të fortë shoqëror appeared first on Albinfo.