
Arrestimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pesë vjet pas ngritjes së gjykatës speciale me seli në Hagë, shkaktoi një tërmet politik në vend.
Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe të tjerët vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim ndërsa pikat më të debatuara gjatë seancave për ecurinë e çështjes kanë qenë lirimi me kusht dhe fillimi i procesit gjyqësor.
Avokati Kushtrim Palushi argumenton se kërkesa e palës mbrojtëse mundet të mos merret në konsideratë të paktën edhe për disa muaj.
Përkundër kësaj, kritikat ndaj organit të drejtësisë ndërkombëtare janë shtuar edhe pse ishte vetë parlamenti i Kosovës që miratoi themelimin e saj. Sipas drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ngutja e prokurorisë për të nisur sa më parë procesin gjyqësor pa i dhënë kohën e nevojshme mbrojtjes që të përgatitet, reflekton njëanshmëri.
Miftaraj sqaron më tej se ende do të ketë arrestime të tjera.
Nga ana tjetër, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdojnë të kundërshtojnë Dhomat e Specializuara duke thënë se duhet të gjykohen krimet serbe që kanë ndodhur në Kosovë.
Ata kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të ndryshojnë ligjin për Specialen, por një gjë e tillë nuk është arritur.