minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Bota

ANALIZA: Shansi i fundit për ta ndalur autokracinë në Hungari

0

Nga Yasmeen Serhan, The Atlantic

“Ne e kemi shkatërruar mitin se Fidesz është i pamposhtshëm”- deklaroi Gergely Karácsony pasi mposhti partinë e Viktor Orban në garën për kryetarin e bashkisë së Budapestit në zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Tani, ai shpreson që ta provojë këtë gjë edhe në nivel kombëtar. Pas 12 vjetësh, Orban pretendon se ka një kontroll të plotë mbi fondet publike në Hungari, mbi institucionet dhe mediat hungareze. Zgjedhjet hungareze janë “të lira, në kuptimin që askush nuk mbush kutitë e votimit”, më tha Péter Krekó, drejtori i Institutit të Kapitalit Politik me qendër në Budapest.

“Por unë mendoj se po shkojmë drejt një pike pa kthim, ku do të jetë praktikisht e pamundur të zëvendësohet qeveria përmes zgjedhjeve”-thekson ai. Por Karácsony, sfidanti kryesor i dominimit të Orbanit, nuk shqetësohet dhe aq shumë.

Advertisement

Duke folur nga zyra e tij në kryeqytetin hungarez, Budapest, ai thotë se shansi më i mirë i vendit – ndoshta i vetmi – për të mposhtur Orban është bashkimi i të gjitha partive opozitare, gjë që ka ndodhur që në fillim të këtij viti.

Ndërsa partitë individuale në këtë koalicion të bashkuar, pretendojnë secila vetëm një pjesë të votave totale, së bashku ato parashikohet të jenë aty-aty me Fidesz, kur vendi të mbajë zgjedhjet parlamentare në pranverën e vitit të ardhshëm.

Për herë të parë në më shumë se një dekadë, askush nuk e di se cili do të jetë rezultati i këtyre zgjedhjeve. “Ato mund të jenë shansi i fundit. Nëse i humbim ato, kjo do të kishte pasoja të rënda për vendin”- shprehet Karácsony. Por fitimi i zgjedhjeve, është vetëm gjysma e betejës.

Edhe nëse opozita e bashkuar arrin të formojë një qeveri, ajo do të përballet me detyrën e mundimshme të përmbysjes së rënies demokratike të Hungarisë – një proces që ka parë minimin e institucioneve të saj, dhe kontrollin e mediave dhe ekonomisë nga Orban dhe aleatët e tij.

Advertisement

Marrja e pushtetit do të jetë e vështirë, por de-Orbanizimi i Hungarisë do të jetë me siguri një proces shumë më i vështirë. Synimi i opozitës nuk është thjesht të rrëzojë Orban nga pushteti, apo të rikthejë demokracinë hungareze në statusin e saj të para vitit 2010.

“Ai sistem nuk na ofroi masa të mjaftueshme mbrojtëse demokratike” thotë Karácsony, duke shtuar se ndonëse periudha midis viteve 1990-2010 ishte koha kur Hungaria ishte ndoshta “më e lirë se kurrë më parë”, ajo liri nuk mundi që të parandalonte kthesën autoritare të vendit.

“Prandaj ne nuk duam që të rikthehemi tek sistemi i para vitit 2010. Ne duam të ecim përpara, dhe të krijojmë një sistem të ri”- nënvizon ai. Kjo sfidë nuk është unike vetëm për Hungarinë. Në Shtetet e Bashkuara dhe Izrael , fraksionet e opozitës kanë dëshmuar se lënia përkohësisht mënjanë e mosmarrëveshjeve dhe bashkimi i forcave, mund të mposhtë liderët e fortë me prirje autokratike.

Por shembujt e këtyre vendeve, kanë treguar gjithashtu edhe brishtësinë e koalicioneve të tilla, dhe sfidat që vijnë me dëmin që tashmë është kryer. Ndikimi i Orban në Hungari nuk do të përfundojë me fundin e mandatit të tij qeverisës, ashtu si trashëgimia e Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu që shfaqen ende përkatësisht në Shtetet e Bashkuara dhe Izrael.

Advertisement

Ashtu si ish-presidenti amerikan, edhe Orban mund të ngushëllohet nga fakti që shumë nga veprimet e tij, sidomos mbushja e gjykatave të vendit me njerëzit e tij besnikë, do të kenë ndikim edhe për shumë kohë pasi të ketë dalë nga politika.

Nëse opozita hungareze arrin jo thjesht fitoren, por të prishë trashëgimisë së dëmshme të Orban, strategjia e saj mund të jetë një model për lëvizjet opozitare në autokracitë e tjera që aktualisht po lulëzojnë. Nëse dështon, zgjedhjet e ardhshme të Hungarisë mund të jenë të fundit demokratike.

Opozita hungareze u bashkua në dhjetor 2020, por ideja lindi gati një dekadë më parë. Në vitim 2011, Karácsony, asokohe deputet për një parti të gjelbër-liberale, deklaroi për një gazete hungareze se vetëm duke bashkuar forcat, opozita do të kishte një shans për ta mposhtur Orban, i cili që kur u kthye në pushtet pasi kishte qenë ministër në vitet 1998-2002), nisi rishikimin e hartës zgjedhore në favor të Fidesz.

Karácsony ishte më i aftë se të tjerët për të kuptuar manovrat e tij politike. Para se të hynte në politikë, ai kishte bërë emër si studiues dhe politolog i specializuar në sjelljen elektorale, opinionin publik dhe fushatat zgjedhore. Karácsony tregon se për një kohë të gjatë, partitë e opozitës nuk mundën të kapërcenin dallimet e tyre të thella politike.

Advertisement

Vetëm pas fitores së tretë radhazi të Orban në vitin 2018, kur po ndodhte edhe konsolidimi i tij në pushtet, ato filluan ta merrnin më seriozisht idenë e bashkimit. Zgjedhjet lokale të vitit 2019, gjatë të cilave partitë e opozitës testuan frontin e tyre të bashkuar, “ishin një laborator shumë i mirë për të eksperimentuar” thotë Karácsony.

Ato zgjedhje ishin një trampolinë e mirë edhe për të. Kryebashkiaku i Budapestit, shihet gjerësisht si kandidati kryesor në garën për të qenë kandidati i opozitës së bashkuar për kryeministër. Disa njerëz me të cilët fola për këtë artikull, përfshirë miq dhe aleatë të Karácsony në Budapest, më thanë se ai është në shumë aspekte, krejt e kundërta e Orban. Ndërsa kryeministri hungarez përkrah të djathtën ekstreme globale, Karácsony është i pozicionuar në të majtën ambientaliste. Ndërsa Orban është i lidhur kryesisht me pjesën rurale të Hungarisë, ku banon edhe baza e tij kryesore e mbështetësve, Karácsony shihet si pjesë e inteligjencës kozmopolite të vendit.

Orbán është një udhëheqës i fortë jo-liberal, politika e të cilit përcaktohet nga një mori armiqsh (mes tyre emigrantët myslimanë, njerëz e komunitetit LGBTQ, biznesmeni i njohur hungarezo-amerikan George Soros dhe Brukseli); ndërsa Karácsony është një progresist miqësor ndaj mjedisit, që predikon ndërtimin e konsensusit dhe kompromisin.

Orbán është i moshuar dhe i njohur; Karácsony, 12 vjet më i ri i se kryeministri, pra një fytyrë e freskët. Të qenit anti-Orban nuk është mjaftueshëm për të fituar zgjedhjet, të paktën jo për asnjë parti apo politikan të vetëm. Por një opozitë e bashkuar do t’u jepte votuesve hungarezë një alternativë të vlefshme.

Advertisement

Orban po e shënjestron që tani opozitën, duke e cilësuar koalicionin e bashkuar si krijesë të “armikut të vërtetë” Ferenc Gyurcsány, ish-kryeministri tejet popullor të Hungarisë. Po ashtu Orban ka transferuar kontrollin e mbi 20 universiteteve shtetërore, si dhe miliarda euro fonde publike tek fondacionet private të drejtuara nga aleatët e tij, në një përpjekje të dukshme për të forcuar ndikimin e tij, në rast se Fidesz do ta humbasë pushtetin.

“Këto janë shenjat e një regjimi që nuk është i sigurt për fitoren, dhe që po përpiqet të mbrojë veten nga përmbysja ”- thotë Michael Ignatieff, presidenti i Universitetit të Evropës Qendrore, të cilin Orban e dëboi me sukses nga Hungaria në vitin 2018. /Përktheu: Alket Goce-abc

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova