Me rastin e 620-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, një ndër figurat më madhore të historisë shqiptare dhe simbol i qëndresës evropiane, në qytetin e Bülach-ut u organizua ekspozita “Gjergji në Art”. Aktiviteti u kthye në një ngjarje të rëndësishme kulturore për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe më gjerë, duke ofruar një hapësirë për reflektim artistik, bashkim shpirtëror dhe dialog ndër breza përmes fuqisë shprehëse të artit pamor.
E organizuar nga Shoqata “Gjergj Kastrioti” – Zvicër, me pjesëmarrjen e institucioneve diplomatike shqiptare dhe personaliteteve të njohura të artit dhe historisë, ekspozita kaloi përtej përmasave përkujtimore dhe u shndërrua në një tribunë të gjallë ku historia, arti dhe identiteti u ndërlidhën në mënyrë të natyrshme dhe frymëzuese.
Skënderbeu në penelin e artistit bashkëkohor
Ekspozita solli në qendër të saj më shumë se 50 vepra të realizuara nga 33 artistë shqiptarë me prejardhje nga të gjitha viset shqiptare dhe nga diaspora – një spektër i gjerë krijues që dëshmonte jo vetëm larmishmërinë stilistike, por edhe thellësinë e përkushtimit ndaj figurës së Skënderbeut.
Piktura, mozaik, grafikë dhe skulptura – të gjitha të konceptuara në mënyrë të pavarur – sillnin një lexim të ri, të freskët dhe emocional mbi heroin kombëtar. Një Skënderbe i ribërë në forma moderne, që flet me tone të reja për një publik të ri. Që nuk qëndron vetëm si statujë historike, por si figurë që kërkon të kuptohet thellë dhe të përjetohet ndryshe në secilin kontekst kohor.
Kuratori i ekspozitës, z. Ilir Muharremi, përmes një fjalimi të ngjeshur dhe të reflektuar, theksoi rolin e artistit si interpretues i heshtjeve të historisë:
“Artisti i shekullit XXI nuk ka për detyrë ta kopjojë figurën e Skënderbeut, por ta kuptojë atë nga brenda. Ta zbërthejë jo si hero mitik, por si njeri që udhëhiqte në kohë të trazuara. Figura e tij kërkon një lexim bashkëkohor që na fton të reflektojmë për vlerat që na mbajnë bashkë edhe sot.”
Ky vizion ishte i pranishëm në të gjitha veprat, që nga brushat ekspresive të Visar Kryeziut, tek kompozimet simbolike të Gjergj Kolës, nga forca skulpturale e Agim Ramadanit, deri tek ndërthurjet mozaike të Florim Shaqirit. Çdo krijim, një ftesë për të dialoguar me të kaluarën.
Institucionet diplomatike: Arti si përbashkues i komuniteteve
Pjesëmarrja e institucioneve diplomatike shqiptare në Zvicër e ngriti më tej peshën e kësaj ngjarjeje. Në përshëndetjen e saj, znj. Shukrije Ramadani, zëvendësambasadore e Republikës së Kosovës në Bern, në emër të ambasadave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, theksoi rolin e artit si instrument bashkues për shqiptarët në mërgatë:
“Kur bashkohemi përmes artit, nuk jemi thjesht spektatorë të kujtesës. Ne jemi bartës të saj. Kjo ekspozitë është një akt i gjallë i kujtesës kolektive dhe një shprehje konkrete e unitetit kulturor shqiptar në diasporë. Kjo është forca jonë si komunitet.”
Ndërsa z. Valon Gashi, sekretar i parë në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, i dha ngjarjes një theks edukativ dhe përbashkues:
“Në këtë përkushtim artistik lexojmë një amanet të qartë: të rinjtë shqiptarë të rritur në mërgatë nuk duhet ta shohin Skënderbeun vetëm si një figurë nga librat e historisë, por si një pjesë të gjallë të identitetit të tyre.”
Kultura që jeton përmes artit, tingullit dhe fjalës
Mbrëmja artistike shoqëruese e ekspozitës shtoi dimensionin shpirtëror të ngjarjes. Këngëtarja Fjolla Berisha solli me zë të ngrohtë një interpretim që zgjoi emocione të forta tek publiku. Vallet e Ansamblit “Vatra” ndezën skenën me lëvizjet e tyre tradicionale, ndërsa pianistë dhe interpretuesi si Leutrim Aliji dhe Oliver Dushi sollën nota klasike, moderne dhe tradicionale njëkohësisht që pasqyronin thellësinë e përjetimeve.
Moderimi i aktorit Arben Rexhepi e shoqëroi me dinjitet dhe ndjeshmëri ngjarjen, duke krijuar ura mes pjesëve të programit.
Studiuesi i mirënjohur Paulin Zefi, në një ligjëratë të gjatë, vuri në qendër Skënderbeun jo vetëm si figurë shqiptare, por edhe si pjesë të identitetit evropian:
“Figura e Skënderbeut është më shumë se një kapitull historie. Ajo është një pasqyrë ku shohim veten si pjesë e Evropës. Dhe përmes artit që po shohim sot, kuptojmë se rrënjët tona nuk janë të kalbura, por të gjalla. Dhe se mund të rritemi me to.”
Art që ndërton ura në diasporë
Ekspozita u bë vendtakimi i dhjetëra artistëve shqiptarë nga viset dhe qytetet më të largëta, të cilët sollën një gamë të gjerë teknikash: nga piktura në vaj dhe akrilik, tek mozaikët monumentalë, skulpturat në dru dhe gips, grafikë të zeza dhe të bardha – të gjitha të përshkruara nga një përpjekje për të dhënë zë e formë dinjitetit kombëtar.
Artistët pjesëmarrës ishin: Agim Ramadani, Augustin Pergega, Gjergj Kola, Refki Gollopeni, Jeton Lleshi, Gëzim Muriqi, Visar Kryeziu, Valerijana Krasniqi, Fatmir Dragusha, Sak Muji, Pren Berisha, Rexhep Leci, Dorina Ukgjini, Jacqueline Bislimi, Florim Shaqiri, Irfan Grajçevci, Irena Toma, Gabriela Memaj Thaçi, Bujar Vani & Evisi Kabilo, Butrint Morina, Daors Hoxha, Mond Balaj, Nagip Tashi dhe të tjerë. Secili prej tyre përfaqësonte një copëz të shpirtit kolektiv shqiptar.
Për piktorin Refki Gollopeni, pjesëmarrja në ekspozitën “Gjergji në Art” ishte një mënyrë për të shprehur përmes ngjyrës dhe formës atë që Skënderbeu përfaqëson për shqiptarët: një kujtesë e gjallë dhe një frymë që i flet edhe brezave të sotëm.
“Skënderbeu nuk është thjesht një figurë historike. Ai është një ndjenjë që na bashkon. Në artin tim kam kërkuar të kap thelbin e asaj energjie – jo vetëm për ta përkujtuar, por për ta jetuar sot,” shprehet Gollopeni për Albinfo.ch
Në veprën e tij, historia bëhet urë për dialog ndërkohor, ndërsa diaspora, një vend ku identiteti nuk ruhet thjesht – por rritet me vetëdije.
Nga historia drejt së ardhmes
Në fund të ngjarjes, u ndanë mirënjohje për artistët pjesëmarrës, kuratorin, përfaqësuesit diplomatikë, mediat dhe platformën Albinfo.ch për ndihmesën në promovimin e aktivitetit.
Agim Pepaj, kryetar i Shoqatës “Gjergj Kastriot Skenderbeu” në fjalën përmbyllëse të tij, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kulturore përmes artit: “Skënderbeu nuk është vetëm një figurë historike që na mbush me krenari. Ai është një urë drejt asaj çka duhet të jemi si shoqëri: të bashkuar, të vetëdijshëm, dhe të frymëzuar. Përmes artit, ne e mbajmë gjallë këtë ideal – dhe i mësojmë brezave se përkatësia nuk është barrë, por dhuratë. Kultura nuk është një kujtim. Është një akt jetësor që duhet përditësuar çdo ditë.”
Ekspozita “Gjergji në Art” dëshmoi se me një organizim të mirëfilltë dhe të përkushtuar kultura nuk rrënjoset vetëm në truall, por mbi të gjitha në zemër. Në një kohë migrimesh dhe sfidash identitare, ajo që ndodh në galeritë e vogla të qyteteve të Zvicrës është po aq e rëndësishme sa çdo akt shtetëror: është dëshmi se historia, arti dhe kujtesa kombëtare nuk janë relike të së shkuarës, por themele për të ardhmen.
The post Ekspozita “Gjergji në Art” – një mozaik identiteti, arti dhe kujtese kombëtare appeared first on Albinfo.