
Ermonela Jaho frymën e operave botërore e solli në skenën e improvizuar të Prishtinës, transmeton albinfo.ch.
Sopranoja me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho është rikthyer pas 12 vitesh në Kosovë me një koncert gala mbajtur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Nën dirigjimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli, shoqëruar nga Opera dhe Filharmonia e Kosovës, kjo mbrëmje e jashtëzakonshme arti, ishte dëshmi edhe e potencialit dhe seriozitetit me të cilin po zhvillohet Opera e Kosovës.
Sopranoja Jaho ka çelur edhe festimet për 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës duke sjell emocione për qytetarët dhe artëdashësit në Kosovës.
Kryeministri në detyrë i Koosvës, Albin Kurti shprehet se “sopranoja Ermonela Jaho nga Sheshi “Skënderbeu” na çoi drejt Italisë së Puccinit e Verdit, pa lëvizur asnjë hap – vetëm me zërin e saj të bukur. Me një mjeshtëri të rrallë, ajo solli dramën dhe emocionin e një opere botërore, duke ruajtur qetësinë dhe kontrollin me përplot hir e që lind vetëm nga përvoja dhe pjekuria artistike”.
“Emri i saj, që për ne tingëllon si “dëshirë”, u bë realitet i paharrueshëm për mijëra zemra që e dëgjuan. Në një bashkëpunim të rrallë mes Orkestrës së Operës së Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasserolli, mbrëmja solli një përzgjedhje nga veprat e mëdha të Puccinit dhe Verdit, duke shndërruar sheshin e kryeqytetit në skenë operistike. Kjo është fuqia e artit të vërtetë – të të çojë diku tjetër pa u larguar nga vendi yt. Dhe ky është niveli që ne si qeveri mbështesim me përkushtim, duke besuar se përmes këtyre përvojave e përjetimeve estetike kolektive të ndërtojmë institucionet kulturore që e meritojnë një vend të denjë në hartën artistike ndërkombëtare”, theksoi Kurti.
Para mbajtjes së koncertit, sopranoja Ermonela Jaho mbajti një konferencë për mediet, ku ndër të tjera theksoi se ndërtimi i shtëpisë së Operës në Kosovës është një domosdoshmëri për të kanalizuar kapacitetin e artistëve të rinj të Kosovës si dhe për të pasuruar shpirtin e popullit.
Artistja Jaho u shpreh se në Kosovë ka ardhur me një detyrim shpirtëror, moral dhe patriotik për t’i dhënë një shtysë ndërtimi të kësaj shtëpie operistike, e cila konsiderohet jetike për artistët dhe brezat e rinj. /Albinfo.ch
The post Festa e 26-vjetorit të Çlirimit të Kosovës nisi me zërin magjik të Ermonela Jahos appeared first on Albinfo.