
Arben Berisha është historian, studiues, poet dhe aktor nga Prishtina. Ai ka përfunduar studimet bachelor, master dhe doktoratë në fushën e historisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa në punën e tij kërkimore është përqendruar veçanërisht në historinë e Kosovës, arsimin shqip, proceset kulturore dhe çështjet e identitetit kombëtar.
Krahas angazhimit profesional në Drejtorinë e Teknologjisë Informative dhe Komunikimit në Policinë e Kosovës, Berisha ka zhvilluar veprimtari shkencore dhe krijuese. Është autor i punimeve shkencore dhe dy përmbledhjeve poetike, ndërsa ka qenë i angazhuar edhe në teatër. Ndërthurja mes historisë, gjuhës dhe artit e ka orientuar drejt studimit të kinematografisë shqiptare dhe mënyrës se si Kosova është reflektuar në të.
albinfo.ch: Si lindi lidhja juaj me filmin dhe kur u kthye ajo në interes hulumtues?
Arben Berisha: Lidhja ime me filmin shqiptar nis që nga fëmijëria. Në familjet kosovare, filmat e prodhuar në Shqipëri nuk ishin vetëm argëtim. Përmes tyre njihnim gjuhën, historinë, kulturën dhe traditat tona. Interesimi kërkimor mori një drejtim më konkret një mbrëmje, kur, duke parë një film të Kinostudios “Shqipëria e Re” së bashku me babanë tim, dëgjova një thënie popullore që më tërhoqi vëmendjen. Fillova të mbledh shprehje të tilla dhe, gradualisht, kjo më çoi drejt një hulumtimi më të gjerë mbi atë që filmat ruajnë si trashëgimi gjuhësore, kulturore dhe historike.
albinfo.ch: Si lindi ideja për ta kërkuar Kosovën në filmat e prodhuar në Shqipëri?
Arben Berisha: Ideja kishte lindur shumë më herët. Fillimisht kisha menduar që, në kuadër të studimeve të doktoratës, ta trajtoja në mënyrë krahasuese paraqitjen e Kosovës në kinematografinë jugosllave dhe në atë të Shqipërisë. Përmasat e një studimi të tillë, megjithatë, ishin shumë të mëdha. Kur iu riktheva filmave për të evidentuar thëniet dhe shprehjet popullore, kuptova se paralelisht mund të hulumtoja edhe mënyrën se si Kosova paraqitej në filmat e prodhuar në Shqipëri. Gjatë punës dolën edhe elemente të tjera me interes, nga personalitetet historike dhe toponimet deri te referencat e ndryshme që lidhen me Kosovën. Me botimin e monografisë, për mua është realizuar një synim kërkimor që e kisha menduar prej kohësh.
albinfo.ch: Pas analizimit të 256 filmave, çfarë ju tërhoqi më shumë vëmendjen?
Arben Berisha: Është e vështirë të veçoj vetëm një film. Qëllimi im nuk ka qenë të vlerësoj saktësinë historike të ngjarjeve të paraqitura, por të evidentoj praninë e Kosovës, periudhat dhe temat në të cilat ajo përmendet, si dhe mënyrën e paraqitjes së figurave që lidhen me të. Do të veçoja Flaka e maleve dhe Nëntori i dytë, ku Kosova dhe personalitete të saj paraqiten në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta kombëtare. Aty hasim referenca për Luftën e Kaçanikut, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe ngjarje të tjera të rëndësishme. Nga shqyrtimi i përgjithshëm del se Kosova është dukshëm më e pranishme në filmat që trajtojnë të kaluarën historike sesa në ata që merren me zhvillimet bashkëkohore.
albinfo.ch: Çfarë Kosove shfaqet në këta filma dhe çfarë mbetet jashtë ekranit?
Arben Berisha: Në filmat e prodhuar në Shqipëri gjatë periudhës socialiste, Kosova paraqitet kryesisht si hapësirë e qëndresës dhe e përpjekjeve kombëtare. Personazhet që lidhen me të shfaqen shpesh si njerëz të besës, të fjalës, të guximit dhe të sakrificës. Kjo është veçanërisht e dukshme në filmat që trajtojnë periudhën e sundimit osman, Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe pjesërisht periudhën ndërmjet dy luftërave botërore. Ajo që mbetet pothuajse tërësisht jashtë ekranit është Kosova e pas Luftës së Dytë Botërore, me zhvillimin e arsimit, universitetit, jetës intelektuale, kulturore dhe shoqërore.
Pra, kemi një Kosovë shumë të pranishme në kujtesën historike dhe kombëtare, por shumë më pak të pranishme si shoqëri bashkëkohore.
albinfo.ch: Sa ndikoi ideologjia e kohës në mënyrën se si paraqitej Kosova?
Arben Berisha: Kinematografia e periudhës socialiste ishte pjesë e politikës kulturore të shtetit dhe prodhimi filmik zhvillohej brenda orientimeve ideologjike të kohës. Edhe marrëdhëniet politike ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë mund të kenë ndikuar në përzgjedhjen e temave dhe në mënyrën se si trajtohej Kosova. Në filmat që kam analizuar vërehet një dallim i qartë mes pranisë së Kosovës si pjesë e historisë kombëtare dhe mungesës së saj si realitet politik e shoqëror bashkëkohor.
Megjithatë, kjo nuk duhet ngatërruar me ndikimin që filmat e Shqipërisë kanë pasur te shqiptarët e Kosovës. Edhe kur Kosova nuk përmendej drejtpërdrejt, këta filma ishin një dritare e rëndësishme drejt historisë, kulturës dhe gjuhës shqipe dhe kanë ndikuar në forcimin e vetëdijes kombëtare te shumë breza.
albinfo.ch: Çfarë zbulojnë të folmet, dialogët dhe personazhet për lidhjet mes shqiptarëve?
Arben Berisha: Ato zbulojnë një trashëgimi të pasur gjuhësore dhe kulturore, të ruajtur ndër breza pavarësisht ndarjeve politike dhe rrethanave historike. Gjatë hulumtimit kam evidentuar shumë fjalë të urta, shprehje popullore dhe frazeologji. Shumë prej shprehjeve që përdoren në filmat e Shqipërisë gjenden edhe në të folmet e Kosovës, ndonjëherë me dallime në shqiptim ose formulim, por me kuptime të njëjta apo të përafërta.
Përmes personazheve pasqyrohen edhe vlera të përbashkëta, si besa, mikpritja, respekti për familjen, guximi, sakrifica dhe mbajtja e fjalës. Për këtë arsye, një pjesë të monografisë ia kam kushtuar shprehjeve filmike dhe kam përfshirë edhe një fjalorth.
Kinematografia shqiptare, si ajo e Shqipërisë ashtu edhe ajo e Kosovës, përbën një burim me vlerë për njohjen e gjuhës, kulturës dhe kujtesës së përbashkët.
albinfo.ch: A pati ndonjë skenë apo detaj që ju preku veçanërisht gjatë hulumtimit?
Arben Berisha: Ka shumë skena që më kanë mbetur në kujtesë. Te Liri a vdekje, qëndresa e Çerçiz Topullit dhe bashkëluftëtarëve të tij në Betejën e Mashkullorës zgjon krenari për sakrificën dhe përpjekjet për liri. Në anën tjetër, te Lulëkuqet mbi mure, vrasja e Sulos së vogël është një nga ato skena të dhimbshme që vështirë harrohen. Nga krijimtaria filmike e Kosovës do të veçoja Rojet e mjegullës. Atmosfera e pasigurisë dhe tensionit të shtyn të reflektosh mbi rrethanat politike dhe shoqërore të Kosovës dhe mbi atë që mund të sillte e ardhmja.
Për mua, kjo është një nga fuqitë e kinematografisë: disa skena nuk mbeten vetëm brenda ekranit, por bëhen pjesë e kujtesës sonë.
albinfo.ch: Cilin film do t’ia sugjeronit një të riu në diasporë për ta kuptuar më mirë këtë lidhje kulturore?
Arben Berisha: Do të dëshiroja që të rinjtë në diasporë të njiheshin sa më shumë me kinematografinë shqiptare, si atë të Kosovës, ashtu edhe të Shqipërisë. Përmes filmave mund të njohin gjuhën, traditat, marrëdhëniet shoqërore dhe periudhat historike që kanë formësuar shoqërinë shqiptare. Do të veçoja filma si Rojet e mjegullës, Lepuri me pesë këmbë, Dhimbje krenare, Kapiteni, Shtigjet e luftës dhe Liri a vdekje. Natyrisht, ata duhen parë edhe në kontekstin politik dhe ideologjik të kohës kur janë realizuar.
Për të rinjtë në diasporë, filmi shqiptar mund të jetë një mënyrë e drejtpërdrejtë për të njohur më mirë kulturën dhe vendin e prejardhjes.
Në përmbyllje, Berisha thekson se botimi i monografisë Kosova në kinematografinë shqiptare është rezultat i një pune shumëvjeçare, por edhe i bashkëpunimit me profesionistë nga fusha të ndryshme, të përfshirë në redaktim, recensim, lekturë, dizajn dhe përkthim. Ai vlerëson gjithashtu mbështetjen e familjes, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve gjatë gjithë procesit të realizimit të veprës.
The post Kinematografia shqiptare dhe Kosova: Çfarë zbulon hulumtimi i Arben Berishës appeared first on Albinfo.