Kori “Siparantum” do të udhëtojë më 17 gusht drejt Kuala Lumpurit të Malajzisë, ku do ta përfaqësojë Kosovën në MCE International Choir Festival 2026, një prej ngjarjeve të rëndësishme të skenës korale ndërkombëtare, transmeton albinfo.ch.
Festivali pritet të mbledhë mbi 200 kore nga vende të ndryshme të botës, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbim kulturor dhe artistik përmes muzikës.
Në këtë skenë ndërkombëtare, “Siparantum Choir” do të prezantojë muzikën, identitetin dhe kulturën e Kosovës, duke vazhduar aktivitetin e tij në ngjarje ndërkombëtare të artit koral.
Nën drejtimin e dirigjentit Memli Kelmendi, kori do të garojë në dy kategori: B4 – Vocal Ensemble dhe A5 – Mixed Choir, ku do të përballet me ansamble korale nga vende të ndryshme të botës.
Përveç garës, “Siparantum Choir” do të jetë pjesë edhe e koncertit ndërkombëtar “Songs Around the World – Echoes of Light”, ku pritet të performojnë kore nga Rusia, Kosova, Singapori, Tajlanda dhe Filipinet.
Koncerti synon të krijojë një takim mes kulturave dhe traditave të ndryshme, të bashkuara përmes muzikës si gjuhë universale.
Pjesëmarrja në MCE International Choir Festival 2026 përbën një tjetër hap të rëndësishëm për Korin “Siparantum”, i cili vazhdon të prezantojë Kosovën në skena ndërkombëtare dhe të kontribuojë në promovimin e kulturës dhe artit koral të vendit.
Përmes kësaj paraqitjeje, kori synon të sjellë në skenën ndërkombëtare jo vetëm performancën artistike, por edhe identitetin kulturor të Kosovës./Albinfo.ch
The post Kori “Siparantum” drejt Malajzisë, do ta përfaqësojë Kosovën në festivalin ndërkombëtar appeared first on Albinfo.