
Pas publikimit të këngës së tij të parë “Fly”, model dhe tani edhe artist, Nikson Gjoka hap një kapitull të ri në jetën e tij kreative. Platforma mediale albinfo.ch pati mundësinë ta intervistojë artistin e ri nga Zvicra, i cili flet për vendimin për të hyrë në muzikë, për ndikimet që e kanë formuar dhe për gjithçka që e pret përpara.
albinfo.ch: Nikson, urime për “Fly”! Si ndihesh tani si artist?
Nikson Gjoka: Faleminderit! Me shumë emocione. Ka qenë një rrugë e gjatë që më ka sjellë deri këtu. Kam pasur gjithmonë një lidhje me muzikën, por ky është hapi i parë ku e ndava me botën. Dhe kur doli kënga, u ndjeva sikur u çlirova. Ishte momenti i duhur.
albinfo.ch: Pse pikërisht titulli “Fly”? Çfarë simbolizon?
Nikson Gjoka: Për mua, “Fly” është një metaforë për lirinë dhe guximin. Është momenti për të ndjekurr ëndrrën time, edhe pse nuk e di si do të shkojë. Është për ata që guxojnë të dalin nga “comfort zone” dhe të ndërtojnë diçka që është e imja. Edhe nëse ke frikë, fluturo. Sepse jetën e kemi vetëm një herë.
albinfo.ch: Të kemi parë më shumë në botën e modelingut. Çfarë të shtyu drejt muzikës?
Nikson Gjoka: Moda ka qenë një pjesë shumë e bukur e jetës sime dhe më ka ndihmuar shumë me ndërtuar vetëbesimin dhe stilin. Por muzika ka qenë gjithmonë aty, thellë brenda meje. Nuk ndodhi thjesht një ditë që vendosa të bëhem këngëtar. Ishte një proces, një ndjenjë që më shtynte për t’u shprehur ndryshe. Kisha shumë për të thënë dhe muzika ishte mënyra më e sinqertë për ta bërë.
albinfo.ch: A ke qenë i përfshirë në krijimin e “Fly”?
Nikson Gjoka: Po, totalisht. Personi i parë që iu drejtova kur vendosa të merrem me muzikë ishte Djaboom. Ai më ka ndihmuar në çdo hap. Më ka dhënë këshilla, më ka orientuar dhe më ka mbështetur si producent. Ishte ai që solli edhe Fuego-n në ekip, me të cilin punuam bashkë për ta sjellë tekstin ashtu siç e doja.
Beati është nga Lowtide. Kam kërkuar gjatë për një beat që kishte vërtet atë “wow-efektin” që doja për këngën e parë. Kur e dëgjova, ndjeva menjëherë që ishte i duhuri.
Mixing dhe mastering janë bërë nga Djaboom. Ai ka vendosur shumë energji dhe përkushtim që kënga të tingëllojë ashtu si duhet.
Për klipin kam punuar me Linus von Stumberg, një regjisor me përvojë që ka fituar 16 çmime ndërkombëtare me filmin e tij të shkurtër “Syncope”. Linusi kuptoi shumë shpejt çfarë doja të transmetoja dhe solli një vizion të qartë. E gjithë skuadra ka kontribuar që “Fly” të mos jetë vetëm një projekt i rastësishëm, por një nisje serioze për mua si artist.
albinfo.ch: Si reaguan njerëzit kur doli kënga?
Nikson Gjoka: Për fat të mirë, shumë mirë. Kam marrë shumë mesazhe që më kanë prekur. Disa më thanë që nuk e kishin pritur këtë anë nga unë – dhe kjo për mua është komplimenti më i bukur. Doja të surprizoja me diçka ndryshe dhe duket se ia dola. Por është ende herët për të dhënë një feedback të plotë. E di që do të ketë edhe reagime negative dhe kjo është pjesë e lojës.
albinfo.ch: A ke pasur dyshime gjatë rrugës?
Nikson Gjoka: Po, padyshim. Kushdo që nis nga e para e njeh atë ndjesinë e pasigurisë. Ka momente kur e pyet veten: “A po bëj gjënë e duhur?”. Por kur je i rrethuar nga njerëz që besojnë te ti, është shumë më e lehtë me e çuar përpara. Familja dhe shokët e mi më kanë shtyrë shumë. Në një moment thjesht i thashë vetes: tani ose kurrë.
albinfo.ch: Çfarë të frymëzon më shumë?
Nikson Gjoka: Më frymëzon kultura që mbaj me vete. Gjithmonë kam qenë mes dy botëve: shqiptare dhe zvicerane, dhe kjo ndikon në mënyrën si mendoj, si ndjej dhe si shkruaj. Frymëzim për mua është edhe vetë jeta, detajet e vogla, muzika që kam dëgjuar si fëmijë dhe padyshim besimi te Zoti. Ai është forca ime më e madhe.
albinfo.ch: Dhe tani që ke publikuar këngën e parë, çfarë vjen më pas?
Nikson Gjoka: Nuk dua ta ndal këtu. Jam duke punuar në këngë të reja, materiale që janë më personale dhe më të thella. Ndonjëherë përpunoj diçka që kam përjetuar dhe e kthej në tekst. Herë të tjera thjesht dua të shpërndaj energji të mirë dhe të krijoj emocione që i ndjen edhe publiku. Dua të ndërtoj një stil që është i imi, pa ndjekur askënd tjetër. Muzika ime është një përzierje mes ndjenjës, ritmit dhe përvojës sime. Kam shumë për të dhënë dhe kjo është vetëm nisja.
albinfo.ch: Në fund, si do ta përshkruaje veten për dikë që po të dëgjon për herë të parë?
Nikson Gjoka: Nëse doni të më përshkruani me një fjali: real, por jo i rreptë. Nuk i kam të gjitha përgjigjet, por kam një zemër që do me bo mirë dhe një kokë që s’e ul lehtë. Muzika është vendi ku i lë të dyja të flasin.
albinfo.ch: Dhe për ta mbyllur: çfarë dëshiron më shumë sot për veten dhe për botën?
Nikson Gjoka: Për veten, dëshiroj me mbet i vërtetë dhe mos me humb kurrë pasionin. Për botën? Më shumë mirësi. Më shumë ndjeshmëri mes njerëzve dhe më pak paragjykime. E di që tingëllon thjesht, por ndonjëherë gjërat më të rëndësishme janë të thjeshta.
Intervistoi: S.Tahiri
The post Nikson Gjoka: “Me ‘Fly’ po fluturoj drejt ëndrrës time!” appeared first on Albinfo.