
Festivali i Filmit në Locarno ka hapur sot zyrtarisht edicionin e tij të 79-të, duke e shndërruar edhe një herë qytetin zviceran në një nga qendrat më të rëndësishme të kinemasë botërore. Festivali do të zhvillohet nga 5 deri më 15 gusht, përcjell albinfo.ch.
Ceremonia e hapjes do të mbahet në Piazza Grande, ku aktorja italiane Isabella Rossellini do të nderohet me Excellence Award, një nga çmimet më prestigjioze të festivalit për kontributin në artin kinematografik.
Edicioni i sivjetmë sjell një program të pasur me filma artistikë, dokumentarë dhe prodhime të pavarura nga e gjithë bota, duke ruajtur traditën e Locarnos si një platformë për zbulimin e talenteve të rinj dhe promovimin e kinemasë autoriale.
I themeluar në vitin 1946, Festivali i Filmit në Locarno konsiderohet një nga festivalet më të vjetra dhe më prestigjioze të filmit në botë, krahas atyre të Kanës, Venecias dhe Berlinit. Shfaqjet në Piazza Grande, me mijëra spektatorë nën qiell të hapur, mbeten një nga simbolet më të njohura të këtij festivali.
The post Nis edicioni i 79-të i Festivalit të Filmit në Locarno appeared first on Albinfo.