Nora Visoka-Weller, nga Universiteti i Kembrixhit, do të mbajë një ligjëratë të ftuar në Universitetin e Bazelit, ku do të trajtojë të kaluarën e Kosovës, trashëgiminë dhe rrugëtimin e diasporës së saj në Zvicër, shkruan albinfo.ch.
“Shihemi në Bazel! Ndihem e nderuar që do të mbaj një ligjëratë të posaçme si e ftuar në Universitetin e Bazelit, duke shqyrtuar rrugëtimin historik të Kosovës dhe të diasporës së saj në Zvicër”, ka shkruar ajo në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale.
Visoka-Weller rikujton se, dekada më parë, shqiptarët e Kosovës mbërritën në Zvicër duke bartur peshën e rëndë të shtypjes sistematike. Sot, sipas vlerësimit të saj, ata përfaqësojnë ndoshta historinë më dinamike dhe ekonomikisht më të suksesshme të migracionit në Zvicër.
Ajo thekson se ky transformim shkon përtej integrimit, pasi kontributi i shqiptarëve të Kosovës është bërë pjesë e trashëgimisë së përbashkët të vendit.
“Shqiptarët e Kosovës kanë riformësuar rrënjësisht trashëgiminë moderne zvicerane. Nga fushat sportive dhe skenat kulturore deri te sallat e politikës, identiteti kosovaro-zviceran nuk është më një histori e jashtme — ai është ndërthurur drejtpërdrejt me identitetin zviceran të shekullit XXI”, shprehet Visoka-Weller.
Ligjërata, me titull “Kujt i përket e kaluara e Kosovës? – Trashëgimia, zhvendosja dhe e kaluara e vështirë në Kosovën e pasluftës”, do të mbahet më 22 tetor, në orën 19:00, në Kollegienhaus, Petersplatz 1, Basel, salla 001.
Hyrja është falas. Për shkak të numrit të kufizuar të vendeve, organizatorët rekomandojnë regjistrimin paraprak.
LINKU: regjistrohu
The post Nora Visoka-Weller: Shqiptarët e Kosovës kanë riformësuar trashëgiminë moderne të Zvicrës appeared first on Albinfo.