“Refugjati” nga Alan Gratz, një rrëfim përtej kufijve gjeografikë dhe kohorë

Romani “Refugjati”, nga autori amerikan Alan Gratz, është një roman i bazuar në ngjarje të vërteta, që rrëfen jetën e tre fëmijëve refugjatë. Ky libër është një thesar për t’u lexuar jo vetëm nga adoleshentët, por edhe nga të rriturit. Është një udhëtim që kapërcen dekadat dhe kufijtë gjeografikë, për të na kujtuar se lufta, tmerri dhe dëbimet etnike nuk i përkasin vetëm një kohe apo një kombi të caktuar. Ato janë plagë të përhershme të njerëzimit, që, fatkeqësisht, rikthehen gjithnjë e më shpesh në historinë tonë njerëzore.

Duke pasur parasysh ç’po ndodh sot në botë, dhe historinë tonë kombëtare shqiptare, veçanërisht luftën e 99-ës në Kosovë, “Refugjati” na prek thellë e drejt e në zemër. Është e pamundur të mos ndihesh i lidhur, sidomos me historinë e Mahmudit dhe udhëtimin e tij përmes Hungarisë. Rrëfimi i tij dhe i familjes së tij na sjell mbrapa në kohën kur edhe ne kemi kaluar kufijtë në kushte të rrezikshme, në rrethana që na lanë të drobitur, të pasigurt, dhe pa asnjë shpresë për të nesërmen. Kjo pjesë e romanit ringjall imazhet e refugjatëve anembanë botës dhe pasqyron dashurinë e tyre të palëkundur për atdheun si dhe për njëri-tjetrin. Një dashuri që mbijeton edhe përballë kërcënimeve që i ndjekin si hije.

Gratz ofron përshkrime dhe detaje të jashtëzakonshme në “Refugjati”. Çdo personazh është gdhendur me mjeshtëri, në një mënyrë që të fton ta lexosh librin me një frymë. Ai nuk ndalet vetëm te faktet, përkundrazi, u jep jetë emocioneve, frikës dhe shpresës që përjetojnë fëmijët në qendër të rrëfimit.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Ajo që e pasuron edhe më tej librin është fakti se historitë shpalosen përmes syve dhe zërave të tre fëmijëve, të cilët, ashtu si shumë të tjerë në Kosovë, përjetuan tmerrin e luftës në moshën 11 apo 12 vjeç.

Libri fillon me Jozefin, një djalë çifut, i cili detyrohet të largohet nga Gjermania naziste. Vetëm 12 vjeç, ai merr mbi supe përgjegjësi shumë më të mëdha sesa mosha e tij mund të përballojë. Guximi i tij nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri. Është një forcë që lind nga frika, përkushtimi ndaj familjes dhe dështira për të mbijetuar. Shpresa e tij zbutet nga trauma që ka kapluar familjen dhe i ka vjedhur fëmijërinë, por ai prap vazhdon të qëndrojë stoik dhe i guximshëm deri në fund, kur edhe përballet me një vendim të vështirë dhe një sakrificë të madhe.

Izabela është një nga personazhet më të fuqishme të librit. Ajo largohet nga regjimi kuban dhe niset drejt Miamit në kërkim të një jete më të sigurt. E ndjeshme, por me një vullnet të pathyeshëm, ajo bart në vetvete një dashuri të thellë për familjen dhe një instinkt mbijetese të mprehtë, të ushqyer nga muzika dhe energjia e saj rrezatuese.

Rrëfimi i familjes së saj, ku, ndër të tjera përfshin lindjen e një foshnjeje në një bark të vogël që mezi qëndron mbi ujë, përballjen me peshkaqen dhe humbjen e të dashurve më të shtrenjtë, shpesh të ndal frymën teksa lexon çdo rresht, secili më prekës se tjetri.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Mahmudi, që përpiqet t’u shpëtojë rrënojave të Sirisë, është një karakter me një shpirt të rrallë. Rrëfimet e tij mbi dinjitetin dhe sakrificën e familjes i japin librit një peshë filozofike që shkon përtej plagëve të dukshme të luftës. Ai është zëri i një fëmije që mban mbi supe peshën e botës. Lidhja e tij me Waleed-in është një dashuri e vërtetë mes vëllezërve e ndërtuar mbi kujdesin e pafund dhe frikën që i ndjek në çdo hap.

Karakteri i Waleed-it është frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë. Imazhi i tij i cili qarkulloi në internet për një kohë të gjatë tronditi tërë botën. Në at fotografi shihet një fëmijë i ulur në një ambulancë, i mbuluar me pluhur e gjak, i heshtur dhe i shokuar. Një pamje që nuk harrohet lehtë. Ashtu si ai imazh, edhe ky libër do t’ju tronditë, ju, lexues të dashur.

 

The post “Refugjati” nga Alan Gratz, një rrëfim përtej kufijve gjeografikë dhe kohorë appeared first on Albinfo.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";