Organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë të Zvicrës në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Cyrih u mbajt një mbrëmje kushtuar këtij jubileu. Organizimin e përshëndeti dhe e hapi nikoqiri, z, Vigan Berisha, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Cyrih. Ai me këtë rast, krahas vlerësimit të lartë që i bëri krijimtarisë së Beqirit shprehu kënaqësinë për mundësinë që po i jepet Konsullatës të kontribuojë në organizimin e ngjarjeve kulturore.
Në vazhdim, Bujar Salihu në emër të LSHSHZ ka bërë një prezantim të gjerë të biografisë dhe krijimtarisë së Shaip Beqirit, duke ndërthurur këtu profilin e veçantë që Shaip Beqiri ka në letërsinë dhe publicistikën shqiptare. “Kënaqësia (e shënimit të përvjetorit) është e madhe kur bëhet fjalë për Shaip Beqirin, jo vetëm sepse krijimtaria e tij tashmë ka kaluar gjysmëshekullin, ashtu siç ka kaluar edhe përtej kufijve nacional, por edhe sepse vepra e tij letrare e publicistike ka vulën e një individualitet të veçantë krijues. Në festa të këtilla, ekziston një pyetje e vjetër, njerëzore dhe e mençur: Çfarë i solli një krijues kohës së vet dhe çfarë mbeti pas?
Arma e vetme që ka shkrimtari është fjala, dhe besoj se pikërisht këtu duhet të nisemi sonte për të folur për Shaip Beqirin. Për njeriun që, për më shumë se pesëdhjetë vjet, ka jetuar brenda gjuhës dhe magjisë së saj”, ka thënë veç tjerash Bujar Salihu. Ai po ashtu ka drejtuar debatin duke shtruar disa pyetje që kanë të bëjnë me krijimtarinë e Beqirit.
Hermetizmi, gjegjësisht drejtimi letrar që ka pasur prani të madhe në letërsinë shqipe të viteve 70-80 të shekullit të kaluar në Kosovë, ka qenë një ndër pikat në të cilat kanë ndaluar gjatë këtij debati vetë autori, Shaip Beqiri dhe folësit tjerë.
Është fakt i ditur tashmë se Beqiri i takon atij brezi që kultivoi dhe ngriti në nivele të larta poezinë që e njohim si “hermetike”. Por siç e thotë ai dhe Salihu, përcaktimi i tij dhe i autorëve të tjerë për këtë drejtim poetik nuk ishte ndonjë modë, trill puro stilistik siç mund të ishte në sallonet letrare perëndimore. Shumë më tepër ishte një mjet për të shprehur ato ide dhe gjakime që nuk mund të thuheshin me gjuhën e kuptueshme për të gjithë.
Beqiri më tutje ka mbrojtur këtë përcaktim të tij për këtë poezi duke e përshkruar atë si një frymë të re që e lidhë letërsinë shqiptare me trendët botërorë të poezisë së asaj kohe.
Shaip Beqiri ka folur edhe për “akuzat” që i janë bërë lidhur me përdorimin e fjalëve të rralla në krijimtarinë e tij. “Ato janë fjalë të brumit e të burimit shqip prandaj nuk kanë vend kritikat në këtë pikë kur dihet se poezia është trajta më sipërore e përpunimit të fjalës”, ka thënë ai. Në këtë vazhdë ai ka mbrojtur qëndrimin e tij për kërkimin pasionant drejt burimit të fjalës dhe latimit të saj përmes poezisë.
Po ashtu postulati se “autori gjithë jetën shkruan vetëm një libër” përkon me krijimtarinë e Beqirit, siç e ka përmendur ai në këtë mbrëmje. Kjo, sepse një poet si ai është i dhënë tërësisht pas magjisë së fjalës dhe kërkon perfeksionimin e saj. Një kërkim që vazhdon derisa të jetë në gjendje të shkruajë, ka thënë Beqiri.
Valdet Berisha, poet dhe kritik letrar ka lexuar një vështrim të gjerë e të thellë mbi krijimtarinë e Shaip Beqirit, të cilin e kishte shkruar në veten e dytë, duke ju drejtuar Beqirit.
“Më 1976, njëzet e dy vjeç, botuat te “Rilindja” librin e parë, “Fontana e etjeve”. Prej atëherë vepra juaj është historia e një etjeje që bërtet. Dhe, pesëdhjetë vjet më vonë, në librin tuaj të ri, etja është ende aty, në “gurin tim të Etjes”. I riu i vitit 1976 kishte etje për jetën, lirinë, për fjalën. Burri i vitit 2026 e ka ende po atë etje. Nuk është shuar. Është bërë themel i njërit prej atdheve ndjenjorë. Dhe, mendoj, se kjo është ndoshta dëshmia më e bukur e një jete poetike: të mos e humbasësh etjen e rinisë, edhe kur rinia më nuk është….”.
Duke ju referuar qasjes hermetike të autorit në poezinë e tij, Berisha ka bërë edhe një konstatim interesant sa i përket këmbënguljes dhe qëndrueshmërisë së Beqirit në këtë rrymë poezie.
“Ibrahim Rugova shkruante dikur për ju, se ju i përmbaheni një sistemi të mbyllur të komunikimit poetik, dhe se jeni krijues i përkryer i figurës. (…) Ju vraponit brenda këtij brezi kryeneç dhe rezistoni edhe pas shpërbërjes së tij. (…) Në ato kohë të grysuara tutelash, kur fjala e drejtpërdrejtë ishte e rrezikshme, poezia shqipe e Kosovës mësoi të fshihej bukur. Shumë autorë, kur rreziku nuk dukej më, e hapën këtë bunker dhe e braktisën në theqafje. Ju, nuk e bëtë këtë: e mbajtët nga besnikëria, sepse kuptuat se ky bunker nuk ishte vetëm mbrojtje nga përndjekja, por shtëpia e vërtetë e fjalës, që mund ta thotë pakkush.
Në debatin e gjallë që u zhvillua në këtë mbrëmje, “protagonisti” i takimit ka folur edhe për preferencat e tij letrare brenda dhe jashtë traditës së letërsisë shqipe, për njohjen e gjerë që ai ka pasur dhe ka me një numër të madh të autorëve shqiptarë andej dhe këndej kufirit, etj.
Po ashtu është ndalur edhe në veprën e tij publicistike të përmbledhur në më shumë se 1200 faqe libri “Mozaiku i mbuzur” që është një projekt mbase i pashoq në publicistikën shqiptare. Aty gjejmë portrete të shkruara me një qasje të tij të veçantë të shumë personaliteteve tona që kanë parakaluar në skenën e kulturës por edhe të politikës dhe të jetës shoqërore shqiptare përgjatë këtyre 50 viteve.
Ai ka thënë se jo vetëm në publicistikë por edhe në poezi ka prirjen për të qenë sistematik. Krijimtarinë nuk e kuptoj si një çështje “muzash” a “frymëzimi” por si një punë me sistem dhe të udhëhequr nga një ide e qartë”, ka thënë veç tjerash Shaip Beqiri.
The post Shaip Beqiri, 50 vjet në kërkim të përsosmërisë së fjalës appeared first on Albinfo.