
Shoqata Kulturore Shqiptare “Atdheu” në Thun të Zvicrës do të organizojë më 28 nëntor 2026 një mbrëmje festive me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar, transmeton albinfo.ch.
Aktiviteti synon të bashkojë bashkatdhetarët në një atmosferë festive, duke kremtuar 28 Nëntorin dhe duke promovuar kulturën, traditat dhe identitetin kombëtar shqiptar në diasporë.
Mbrëmja do të mbahet në sallën “Bärensaal”, në adresën Frutigenstrasse 68d, 3604 Thun, duke filluar nga ora 18:30. Programi do të përfshijë valle tradicionale shqiptare nga anëtarët e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Atdheu”, ndërsa për atmosferën muzikore do të kujdeset këngëtari Atdhe Rexhepi.
Hyrja në këtë aktivitet do të kushtojë 10 franga zvicerane, ndërsa fëmijët deri në moshën 15-vjeçare do të kenë hyrje falas.
Përmes organizimit të festave kombëtare dhe angazhimit vullnetar, shoqata “Atdheu” synon të ruajë dhe përcjellë ndër breza gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare, duke kontribuar në forcimin e lidhjeve të komunitetit shqiptar në Zvicër me atdheun.
Organizatorët i ftojnë të gjithë bashkatdhetarët që t’i bashkohen festës së 28 Nëntorit, për të shënuar së bashku këtë datë të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, nën ngjyrat kuqezi të flamurit./Albinfo.ch
The post Shoqata “Atdheu” në Thun organizon festë për 28 Nëntorin appeared first on Albinfo.