
Në Festivalin e Filmit Sundance, dy bashkëprodhime zvicerane, dokumentari “Taming the Garden” dhe filmi artistik “Hive”, do të festojnë premierat e tyre botërore.
Dokumentari “Taming the Garden” (“Zbutja e Kopshtit”) ka për autor regjisorin gjeorgjian Salomé Jashi dhe është një bashkëprodhim zviceran-gjeorgjian-gjerman. Ai do të shfaqet në Festivalin e Filmit Sundance si pjesë e Konkurrencës në sektorin e filmave dokumentarë, shkruan sda.ch.
Ndërsa filmi “Zgjoi” (Hive) është debutimi i regjisores Blerta Basholi. Filmi me metrazh të gjatë është bashkëprodhim nga “Alva Film Produktion” i Gjenevës, me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, transmeton albinfo.ch.
Ai tregon historinë e një gruaje e cila mban familjen e saj përmes një ferme të vogël që kur ishte zhdukur burri i saj në luftën e Kosovës. Në këtë mënyrë ajo lufton edhe kundër strukturave patriarkale të fshatit.
Në Festivalin e Filmit Sundance filmi i Blerta Bashollit do të marrë pjesë në Konkurrencën Dramatike të Kinemasë Botërore (World Cinema Dramatic Competition).
Festivali i Filmit Sundance është themeluar në vitin 1981 nga aktori amerikan Robert Redford dhe tani bën pjesë në mesin e festivaleve më të rëndësishme të filmit në botë, përcjell albinfo.ch. Ai i kushtohet prodhimeve të pavarura amerikane dhe ndërkombëtare.
Në konkurrencën botërore të këtij festivali marrin pjesë vetëm dhjetë filma të zgjedhur nga e gjithë bota. Zvicra ishte përfaqësuar tashmë në këtë konkurrencë edhe vitin e kaluar.
Këtë vit Festivali i Filmit Sundance nuk do të zhvillohet në Park City, Utah, por kryesisht në internet. Fillon më 28 janar (sot) dhe zgjat deri më 3 shkurt.
The post “Zgjoi” i Blerta Bashollit përfaqëson Zvicrën në Sundance Film Festival appeared first on Albinfo.