Udhëtimi në rajone të largëta në Gjeorgji, është një përvojë që shoqërohet gjithmonë me zbulimin e të panjohurave, sidomos të kulteve dhe monumenteve fetare. E tillë është edhe një kishë e veçantë që fshihet në një zonë thuajse pa jetë. E ngritur në një lartësi 40 metra, në një monolit natyror guri gëlqeror, mbi të cilin qëndron, kisha është padyshim më e izoluara dhe më e shenjta në botë.

E ndodhur afërsisht 200 kilometra në perëndim të kryeqytetit të Gjeorgjisë, Tbilisi, kjo pikë e jashtëzakonshme është shumë e vështirë për t’u arritur, pasi dhe mjetet e transportit nuk e kanë të thjeshtë të depërtojnë atje.

Në krah të lartësisë qëndron një manastir dhe një kishëz e vogël, ku zakonisht grumbullohen dhe turistë të shumtë. Në majë të monolitit, Katskhi, ndodhet kisha e ndërtuar në shekujt XVI deri në të XVIII, kushtuar Maksim Rrëfyesit, një murg i shekullit të XVII. Aty ndodhet gjithashtu një dhomë varrosjesh, një bodrum vere dhe tri qeli të izoluara.

Çdo ditë, murgjit që jetojnë poshtë bëjnë ngjitjen 20-minutëshe, përmes një shkalle të hollë metalike të vendosur në anën e shkëmbit. Pelegrinazhi ditor për të kryer lutjen në atë lartësi thuhet se i afron ata me Zotin. Deri në vitin 2015, ata takoheshin gjithmonë me at Maxime Qavtaradze, i cili kaloi shumicën e kohës atje, për rreth 20 vjet dhe ishte murgu i fundit që jetoi në majë, aq sa arriti të ndërtonte edhe një kishë të re në shkëmb, në 1995.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Sot, lartësia shihet si një nga monumentet më të shenjta në Tokë dhe vetëm burrat nga një urdhër i veçantë fetar, pra murgjit vendas, lejohen të kryejnë ngjitjen nga manastiri poshtë e deri në kishë lart. Kreu i manastirit, udhëheqësi Ilarion, thotë për CNN Travel se që nga viti 2018, dekreti nga Patriarku Ilia II, Udhëheqësi Shpirtëror i Kishës Ortodokse Gjeorgjiane, ndalon çdokënd që të ngjitet në këtë kishë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, banorët e pakët që jetojnë pranë kësaj zone, e konsiderojnë këtë monument “lartësinë e jetës” dhe “një simbol i kryqit të vërtetë”.