
Në fushat me pluhur në Pakistanin jugor shtrihen mbetjet e një prej qyteteve të lashta më mbresëlënëse në botë, për të cilin shumica e njerëzve ndoshta nuk ka dëgjuar kurrë.
Sot kanë mbetur vetëm rrënoja, por 4500 vjet më parë, ishte një qytet me infrastrukturë shumë të avancuar. Mohenjo-daro, që do të thotë “grumbull njerëzish të vdekur”, ishte dikur qendra më e madhe e një qytetërimi që sundonte nga Afganistani verilindor deri në Indinë veriperëndimore, gjatë epokës së bronzit. Mohenjo-daro mendohet se ka qenë i banuar nga të paktën 40000 njerëz dhe lulëzoi nga viti 2500 deri në 1700 p.e.s. Mirëpo krahasuar me qytetet e Egjiptit të Lashtë dhe Mesopotamisë, të cilat lulëzuan në të njëjtën kohë, pak flitet për Mohenjo-daro. Deri në vitin 1700 p.e.s, qyteti u braktis dhe ende sot, askush nuk është i sigurt saktësisht pse banorët u larguan.
Në vitin 1922, në këtë vend u zbuluan disa struktura të ngjashme me tumat, ku budistët zakonisht meditojnë. Kjo bëri që të nisnin gërmimet në shkallë të gjerë, veçanërisht nga arkeologu britanik Sir John Marshall, pas kërkimeve të të cilit Mohenjo-daro mori statusin e sitit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në vitin 1980.
Veçoria më befasuese e qytetit ishte infrastruktura e zhvilluar dhe sistemi i kanalizimeve shumë i avancuar për kohën. Tualetet private ishin të përhapura edhe në Egjipt dhe Mesopotami, por konsideroheshin luks i të pasurve. Në Mohenjo-daro, tualetet ishin kudo. Që nga fillimi i gërmimeve, janë gjetur më shumë se 700 puse, një sistem banjash private, si dhe një banjë e madhe për qytetin. Banorët e Mohenjo-daros, veç të tjerash, kujdeseshin shumë për mjedisin e tyre. Meqenëse qyteti ndodhej në perëndim të lumit Indus, ata ndërtuan platforma mbresëlënëse dhe sisteme kullimi për t’u mbrojtur nga përmbytjet vjetore.
Mohenjo-daros shquhej edhe për rrjetin e zhvilluar të tregtisë detare që shtrihej nga Azia Qendrore në Lindjen e Mesme. Për shekuj me radhë, ata prodhuan objekte të ndryshme qeramike, stoli dhe sende të tjera që tregtoheshin kudo nga Mesopotamia deri në Omanin e sotëm. Aktualisht, vendi historik është kthyer në një park lokal, kompletuar me tavolina pikniku dhe kopshte të shumta.
Megjithatë, turizmi qoftë vendas ose i huaj është shumë i rrallë. Ata pak turistë, përveç rrënojave të mbetura, mund të vizitojnë muzeun Mohenjo-daro, ku ekspozohen objekte të ndryshme të gjetura nga gërmimet arkeologjike. Gjithashtu, ata mund të marrin njohuri mbi shkrimin e lashtë që përdornin banorët e këtij qyteti, i njohur si Skripti i Luginës së Indus, që ishte një gjuhë piktografike me më shumë se 400 shenja, por ende nuk është deshifruar.
Por çfarë ndodhi saktësisht me Mohenjo-daro? Ky është një tjetër mister për t’u zgjidhur. Studiuesit nuk janë të sigurt pse qyteti u braktis diku rreth vitit 1700 p.e.s, megjithëse besohet gjerësisht se faktorët klimatikë luajtën një rol kyç. Megjithatë, ajo që dihet është se zhdukja e Mohenjo-daros nuk ishte e menjëhershme. Tani, disa mijëra vjet më vonë, rrënojat e qytetit janë në rrezik pasi përmbytjet shkatërruese goditën Pakistanin në gusht 2022.