Bakllavaja, krenaria e çdo shtëpie shqiptare, që ndahet me familjen pas darkës së ndërrimit të viteve, si dhe me të gjithë të afërmit që vijnë për vizitë në ditët e para të vitit.
Me një pjesëmarrje në rritje të ish-amvisave në tregun e punës, por edhe nevojës për t’u çlodhur nga mundi i një viti, të shumtë i drejtohen pastiçerive për të blerë një tepsi të gatshme.
Pavarësisht se nuk do të mungojë në tryezë, porositë këtë vit janë për përmasat më të vogla.
Këtë vit, edhe përbërësit për të bërë këtë ëmbëlsirë janë prekur si çdo gjë tjetër nga inflacioni/rritja e çmimeve.
Konkretisht, çmimi i miellit është rritur me 17% këtë vit, sheqeri me 26%, arrat me 44%, gjalpi 80% dhe vezët janë mbi dyfish më të shtrenjta. Çmimet e përbërësve janë reflektuar edhe tek çmimi final i tepsisë së bakllavasë, me një rritje 20-30% krahasuar me një vit më parë.
Bakllavaja është vetëm një nga elementët që shoqërojnë tryezën e fundvitit, që në total pritet të kushtojë 40% më shtrenjtë.