A përfundon këtu goditja ndaj Berishës?

Nga Arbër Zaimi

ShBA shpalli se Sali Berisha e familja e tij e ngushtë nuk mund të udhëtojnë më drejt atij vendi, për shkak të korrupsionit madhor.

Është e qartë për të gjithë se korrupsioni madhor nënkupton edhe vjedhje madhore – pra edhe varfërim madhor e të padrejtë të shumë personave që nuk do të duhej të ishin privuar prej disa mundësive e të drejtave që u takonin.

Por vjedhja madhore e një shteti dhe e një populli, nuk mund të ndëshkohet me ndalim udhëtimesh. Do të duhej së paku konfiskim dhe kthim i pasurisë së vjedhur te ata që janë privuar padrejtësisht prej saj.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Këtë gjë nuk mund ta bëjë ShBA, sepse së paku formalisht jemi vend sovran, por duhet ta bëjë sistemi gjyqësor e prokurorial i Shqipërisë, i cili tash gjendet para dilemës: t’ia nxijë faqen ShBA-së, apo t’ia nxijë faqen Berishës?

Duket si dilemë e lehtë, sigurisht, do të duhet të mbajnë anën e superfuqisë. Por problemi është më i ndërlikuar se ç’duket. Berisha nuk (dyshohet se) është thjesht një i korruptuar i rëndomtë e i parëndësishëm, por një dëshmitar i gati secilit proces të mbidheshëm e nëndheshëm në Shqipëri, në tre dekadat e fundit, shpesh edhe pjesëmarrës në procese si “lojtar, arbitër a trajner”.

Nëse ai dënohet – dhe nuk e kam fjalën për ndalim udhëtimi – ai do të mund të kthehej në një dëshmitar me vlerë të madhe (dhe rrezik të madh për dikë-dikë në majat e hierarkive politike, gjyqësore, biznesore, mediatike e kriminale në Shqipëri).

Dënimi gjyqësor i Berishës dhe hetimet e proceseve ku ai ka qenë i përfshirë, do të mund ta kthenin në një dëshmitar që prodhon një ortek a një tërmet të madh, të ngjashëm me “Mani pulite” në fillim të viteve 90 në Itali, ku një fushatë e madhe e drejtësisë prodhoi rrëzimin e pesë partive tradicionale që mbanin pushtetin me rotacion (il pentapartito).

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

A do të ndodhë kjo? Unë shpresoj se po. Por ftesat e Ramës për bashkëqeverisje me PD, dhe ndërthurja e shumë interesave për ta mbajtur situatën “ashtu siç është”, më bën të mendoj se më shumë ka gjasa që i vetmi ndëshkim për Berishën të mbetet ky ndalim udhëtimi.

Prandaj dilema e sistemit të drejtësisë në Shqipëri se “a t’i mbetet faqja e zezë Berishës apo ShBA-ve”, nuk e ka zgjidhjen aq të lehtë sa ç’duket.