
Nga Lorenc Vangjeli
“Ne ndërtojmë aeroporte, ata mbyllin edhe aeroportin e vetëm që kemi tani. Në sjellim vaksina të shpëtojmë jetë njerëzore, ata infektojnë shqiptarët dhe na i lenë vaksinat rrugëve, ne jemi në partneritet me NATO-n që vjen të garantojë siguri në Shqipëri e rajon, ata ndalojnë ardhjen e trupave të saj në Rinas.
Ne rusit i marrim vaksinat, ata i japin shkas për të fërkuar duart. Ne nuk jemi vetëm më të mirë se ata, ne jemi më të mirët. Ne nuk hyjmë në zgjedhje si alternativë, por jemi zgjidhja e vetme për të gjithë shqiptarët!” Këto teza do të dëgjohen shumë shpesh nga kryeministri dhe njerëzit e tij në fushatë, që tani janë duke u ngazëllyer nga fati që ju erdhi papritur jo nga terreni ku po bëjnë fushatë, por nga qielli ku kërkuan t’i përzenë.
Fatura e frikshme njerëzore që pasoi ndërprerjen e fluturimeve, do t’i kërkohet opozitës që ta paguajë. Orët e pafundme në aeroporte, dramat dhe traumat e mijëra njerëzve që mbetën në aeroporte të huaja dhe të atyre që i prisnin të vinin, një zinxhir i pafundëm problemesh dhe shpenzime të shtuara, vaksinat e munguara dhe hallet e krijuara rishtas, rrjedhojë e përpjekjes së 65 njerëzve që tentuan të zgjidhin hallin e tyre, janë tashmë një votë me kah të qartë.
Askush nuk do të dojë të bëhet palë me 65 kontrollorët e Rinasit, edhe pse kërkesat e tyre janë logjike, edhe pse ata në mënyrën më të gabuar të mundshme, zgjodhën të vihen përballë një shumice dërmuese shqiptarësh që tani nuk i sheh siç janë, si heronj, por i llogarit si fajtorë e makutë. Ky është rasti klasik kur forma dëmton pa kthim edhe përmbajtjen. Turqit që do t’i zëvendësojnë ata në detyrë, e që nesër mund të jenë edhe amerikanë, britanikë, gjermanë apo bangladeshas, me kusht që të kenë specializimin e duhur, do t’i bëjnë ata shumë shpejt viktimë të një loje që u luajt me këmbët e tyre, por që nuk mund ta mbanin as shpatullat e atyre që i brohoritën.
Në llogaritë e nesërme që do të luhasë fort peshoren elektorale do të shtohet më shumë se gjithçka tjetër, edhe ndërhyrja e një faktori që normalisht bën histori në Tiranë. Stabiliteti i vendit është kërkesë e panegociueshme e amerikanëve për Tiranën. Ata mund të mos dallojnë dhe as nuk kanë ndonjë interes të veçantë të identifikojnë nuancat kapriçioze dhe ndryshimet plot llastime mes aktorëve lokalë, por në këtë pikë, tek stabiliteti, ata kanë ndjeshmëri sizmiografi amerikan.
Në asnjë rast dhe me çdo mjet ata nuk mund të lejojnë lojëra provinciale dhe llogari meskine të kujtdo ngjyre e kahu politik që trazojnë stabilitetin. Pengesa e papritur logjistike që ju vu një stërvitjeje të planifikuar në emër të NATO-s u shndërrua në aleatin më të fortë të Ramës, të cilit kjo e ligë, i erdhi vetëm për ta ndihmuar. Të gjithë faktorët kundër, të maskuar si armiq të Edi Ramës u dëshmuan në këto orë dramatike të aftë që t’ja japin fitoren e zgjedhjeve në tepsi argjendi. Ashtu siç servireshin dikur bregut të Bosforit otoman, darovitjet për Sulltanin. Dhe në fakt, për ironi të fatit, çlirimtarët e krizës së kullës, kësaj here erdhën nga Stambolli. Dhe hynë në Tiranë nga Podgorica, por me vizë amerikane në xhep.