Duka nuk është viktimë e politikës, por e babëzisë së tij!

Nga Dritan Hila

Sot FSHF është një nga bizneset më fitimprurëse, por aspak sportive. Stadiumet janë bosh, ndërkohë shumica e ekipeve që kanë bërë emër në futbollin shqiptar ose janë eleminuar ose janë tërësisht anemikë. Kjo, jo vetëm për faj të Armando Dukës por edhe për faj të tij.

Tregtari i lavatriçeve dhe vezëve e ka kuptuar se futbolli është një ndër bizneset më të mira, dhe ka 20 vite që e ka kapur për fyti dhe nuk e lëshon. Është një ndër rastet ku edhe në Shqipërinë që nuk përbën çudi asgjë, ky është rasti i çudisë. Njëzet vjet në krye të federatës janë një rekord që bën lajm edhe këtu. E ndërkohë, federata është kthyer në një qendër korrupsioni.

Fonde të UEFA-s qe shkojnë për fusha private dhe fëmijë qe duhet të paguajnë për t’u stërvitur, trafiqe pronash, shitblerje ndeshjesh, të gjitha nuk janë më lajm. Futbolli shqiptar shikohet si një gropë e zezë në Evropë dhe vetë shqiptarët tashmë janë mësuar që qytete të cilat dikur ishin vetëm stacion pushimi autobusësh, të dalin disa herë kampion.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Përpjekja e Dukës për ta politizuar, mbetet një taktikë ende e suksesshme në Shqipëri. Vetëm se në këtë rast pushtetini FSHF është pushteti më i korruptuar në vend, ku çdo pushtet tjetër ngjan i dëlirë përpara tij. Devijimi i debatit nga llumi ku është FSHF në gjuhën që ka përdorur Veliaj në një takim, është thjesht një bombë tymuese për të shmangur debatin kryesor: Gjendjen e FSHF si një batak vesesh dhe trafiqesh ku çdo bordello do dukej si manastir.

A do ja dalë Duka të rizgjidhet? Llogaritë tregojnë që do ja dalë dhe kjo do zgjasë lëngimin e sportit kryesor, gati të një feje, te shqiptarët. A do mundet Erion Veliaj të krijojë një çarje në murin e FSHF-së? I vetëm nuk ja del dot, pasi sistemi nuk e lejon. As ndërhyrja e Ramës nuk e ndihmon. Vetëm lëvizja e drejtësisë, prokurorisë, që të marrë në shqyrtim letrat e institucionit mund të sjellin zhvillime të reja. Në të kundërt, Duka do vazhdojë të sundojë në dukatin e tij, sikur vetë Skënderbeu t’ia kishte dhuruar me të drejtë të trashëgueshme këtë titull./dritare.net.