Dy standardet postberishiste të Lulzim Bashës

Nga Blendi Kajsiu

Akti i dorëheqjes së Lulzim Bashës krijon një standard të ri dhe të padëgjuar politik për Partinë Demokratike. Basha është i pari kryetar real i PD-së që dorëhiqet realisht. Berisha kurrë nuk tërhoq nga të qenurit kryetar i PD-së, pavarësisht se në 30 vitet e fundit e ka reduktuar vazhdimisht elektoratin e saj dhe ka një koleksion impresionant humbjesh (zgjedhjet lokale të vitit 1992, Referendumin e viti 1994, zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1997, zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, zgjedhjet parlamentare të vitit 2013). Foltorja tregoi qartë se dorëheqja e tij e vitit 2013 ishte thjesht një fasadë.

Pikërisht për këtë arsye, dorëheqja e Bashës ka shkaktuar kaq shumë hutim në skenën tonë politike në përgjithësi dhe te berishistët në veçanti. Këta të fundit e shikojnë me dyshim dorëheqjen si një truk për t’u rikthyer përsëri në krye të PD-së, a thua se Basha është Berisha. Me një inkoherencë komike berishistët e akuzojnë Bashën se po bën të njëjtën lojë si lideri i tyre Berisha në vitin 2013.

Natyrisht, të shumtë janë ata që me të drejtë e gjykojnë dorëheqjen e Bashës si të vonuar. Basha duhet të ish dorëhequr që pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Por Basha i 25 prillit ishte politikani berishist që nuk dorëhiqej para humbjes në zgjedhjet e përgjithshme dhe jo më për humbjen e disa bashkive pa vlerë. Ky është paradoksi i berishizmit që e rizgjodhi Bashën kryetar dje pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme dhe i kërkonte dorëheqjen sot pas humbjes së disa bashkive pa vlerë.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Është një paradoks që buron nga fakti se berishizmi nuk ka parime, por vetëm interesin personal të doktorit si udhërrëfyes politik. Dhe pikërisht këtu qëndron standardi i dytë që vuri Basha, vendosja e interesit të PD-së mbi interesin e liderit. Ky është një tjetër standard i paparë dhe i padëgjuar në PD, ku interesi i Berishës i është njehsuar vazhdimisht me interesin e PD-së.

Dorëheqja e Bashës tregoi se vendimi i tij për të mos e futur PD-në në inkoherencë politike dhe në përballje me SHBA-të sakrifikoi interesin personal të Bashës për interesin e PD-së. Në këtë aspekt, dorëheqja legjitimon përjashtimin e Berishës si një akt që u bë për interesin e PD-së dhe jo të kryetarit.

Në fakt, edhe kritikët më të ashpër të Bashës e pranojnë se ai nuk ish asnjë interes të konfliktohej me Berishën. Përkundrazi, ai sot do vazhdonte qetësisht të vegjetonte në krye të PD-së nëse thjesht do refuzonte ta përjashtonte Berishën nga Grupi Parlamentar duke futur PD-në në konflikt të hapur me SHBA-të dhe opinion publik.

Aq e vërtetë është kjo, saqë Berishës iu desh të shpikte përrallën e pengut sepse nuk e akuzonte dot Bashën se po vepronte për interes personal. Pra, motivi më themelor i politikës shqiptare, interesi personal, nuk mund të aplikohej në rastin e vendimit të Bashës për të përjashtuar Berishën nga Grupi Parlamentar. Ndaj, berishistët arsyetimin politik e zëvendësuan me teoritë e konspiracionit dhe denoncimin: Basha është i kapur, është legen, është besëprerë.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Tani që Basha dha dorëheqjen, të gjitha këto arsyetime bien dhe mbetet fakti se për herë të parë PD-ja ka pasur një lider që sakrifikoi interesin dhe ambicien personale për interesin e partisë. Ideja se Basha iku se nuk kish se çfarë të bënte nuk pi ujë. Në skenën tonë politike kanë mbetur boll politikanë me parti edhe më të vogla se PD-ja e Bashës, që nga Pollo deri te Mediu.

Asnjë nga dy standarde politike që vendosi Basha nuk është i rastësishëm. Ato janë produkt i ndarjes së PD-së nga berishizmi. Ndaj ideja e bashkimit duhet paraprirë nga ideja e rinovimit. Dy standardet politike të vendosura nga Basha duhet të përcaktojnë kriteret dhe profilin e lidershipit të ardhshëm. Janë dy standarde që automatikisht përjashtojnë berishizmin.