
Nga Enver Robelli
Ia ofrojnë Serbisë një fusnotë për Kosovën dhe Serbia thotë faleminderit, por nuk e pranon Kosovën.
Ia ofrojnë Serbisë bashkësinë e komunave serbe në Kosovë, një lloj republike serbe brenda Kosovës, por Serbia nuk e pranon Kosovën. (Ndërkohë Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpall marrëveshjen për asociacionin në pjesën më të madhe jokushtetuese).
Pastaj ia ofrojnë Serbisë edhe një pjesë të territorit të Kosovës, por as kjo nuk ndikon që Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës.
Mandej situata merr konotacione tmerrësisht humoristike kur një po-kam-qejf-të-jem-diplomat i ekipit të Donald Trumpit me emrin Richard Grenell shfaqet në opinion me një marrëveshje të nënshkruar në një zyrë diku në München, e cila premtonte se së shpejti do të nisin fluturimet mes Beogradit e Prishtinës. U tha kështu në janar 2020. Tash jemi në shkurt 2022: ku humbi avioni që thuhej se për 25 minuta do t’i bart pasagjerët nga Surçini në Sllatinë?
Kjo është trashëgimia e qeverive të kaluara.
Tash eksponentët e qeverive të kaluara që i kanë shkaktuar krejt këto tmerre e prodhuar krejt këto rrena, dalin e thonë: qeveria e tanishme duhet t’i zgjidh problemet me Serbinë! Po, duhet t’i zgjidh, por jo sipas kushteve tuaja dhe jo sipas aventurave tuaja dhe jo sipas pazareve tuaja sekrete nëpër zyra jashtë Kosovës dhe jo sipas kalkulimeve tuaja personale dhe elektorale dhe jo sipas lojërave tuaja cinike. Çfarë kërkojnë eksponentët e regjimeve të kaluara është kjo: vrasjen e kemi bërë ne, por dënimin duhet ta vuani ju! (Pra, jo vetëm kjo qeveri, por edhe populli i Kosovës).