
E kaluara ka ekzistuar përherë. Bashkë me historinë. Ajo vetëm duhet të kujtohet, bazuar në fakte që ndriçojnë rrugën edhe drejt së ardhmes. Në këtë tekst bëhet fjalë për një skulptor kroat që gati e la kokën në kujtim të Betejës së Kosovës, një spanjoll që deshi të bëhej princ i Shqipërisë, një imam që para 100 vjetësh jepte ilegalisht mësim në gjuhën shqipe në një shkollë në Batllavë, për këngët e cubave serbë, për parashikimin e saktë të Dimitrije Tucoviqit dhe për dinastinë Obrenoviq, pas rrëzimit të së cilës Serbia u përfshi në atë që më 1906 quhej “lufta e derrave”
Nga Enver Robelli
1.
Ivan Meshtroviqi ka qenë skulptor dhe arkitekt kroat me famë botërore. U lind më 1883 në një fshat në trevën e Sllavonisë në Kroaci. Vdiq më 1962 në shtetin Indiana në SHBA. Ishte profesor i skulpturës në Universitetin Notre Dame në South Bend në Indiana. Si jo pak intelektualë kroatë edhe Meshtroviqi ishte adhurues i një unioni të sllavëve të jugut. Rrjedhimisht, kjo kastë intelektualësh recitonte narracionin nacionalist serbomadh. Pas pushtimit të Kosovës nga Serbia në vitet 1912/13, Meshtroviqi u deklarua kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Deshi të botojë një letër proteste në gazetën “Die Zeit” të Vjenës. Redaksia refuzoi ta botojë letrën e Meshtroviqit. Perandoria Austro-Hungareze përkrahte një shtet të fuqishëm shqiptar në Ballkan dhe përpiqej ta kundërshtonte rrudhjen e trojeve shqiptare si pasojë e politikave ekspansioniste serbe.
Pasi nuk arriti ta botojë letrën në Vjenë, Meshtroviqi arriti ta publikojë në gazetën “Sloboda” të Splitit më 14 janar 1913. Kroacia atëherë ishte pjesë e Austro-Hungarisë, andaj pushteti e konfiskoi tërë tirazhin e gazetës “Sloboda”. Meshtroviqi nuk u dorëzua: e botoi letrën në gazetën “Dubrovnik”. Lidhur me Fushë-Kosovën Meshtroviq shkroi: “Për t’u çliruar kjo fushë kanë qarë pesëqind vjet nënat tona, dhe ne të gjithë jemi rritur me lotët e tyre, duke na ushqyer me qumështin e tyre, duke u betuar se për disfatën historike do të hakmerremi me gjakun tonë. Pra, për këtë arsye kjo fushë qëmoti është shumë e shtrenjtë për ne që t’ia lëshojmë ndokujt… Më parë dua që i pari të vdesë për këtë tempull të shenjtë të popullit tim, sesa që t’ia lejojë… sepse statujat e mia, të cilat gjenden në Vjenë, nga kjo fushë kanë dalë”.
Ivan Meshtroviqi është autor i një cikli me skulptura mbi Betejën e Fushë-Kosovës, e cila u zhvillua më 1389 mes një aleance ballkanike kundër osmanëve. Mes të tjerash ka realizuar një skulpturë të Millosh Obiliqit.
Pas atentatit vdekjeprurës në Sarajevë të terroristëve serbë kundër trashëgimtarit të fronit austro-hungarez, Franz Ferdinandit, (më 28 qershor 1914), Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë dhe e ndoqi ushtrinë serbe nga vendi, e cila kaloi nëpër Shqipëri dhe me anije iku drejt Greqisë. Në qershor 1917 në Korfuz shkuan liderë të sllavëve të jugut, mes tyre edhe udhëheqës kroatë, për të nënshkruar bashkë me prijësit serbë një deklaratë për themelimin e Monarkisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, nën udhëheqjen e dinastisë së Karagjorgjeviqëve.
Më 29 tetor 1918, Kuvendi kroat shkëputi të gjitha lidhjet shtetërore me Austro-Hungarinë dhe mori vendim për themelimin e një “shteti kombëtar të sllovenëve, kroatëve dhe serbëve” në territorin që dikur sundohej nga Perandoria e Habsburgëve. (Në zanafillën e tyre habsburgasit ishin një familje zvicerane që e morën pushtetin në Vjenë dhe pastaj sunduan gjysmën e Evropës). Vendimin për ta braktisur Austro-Hungarinë dhe themeluar një shtet me serbët dhe sllovenët e përkrahën me brohoritje mijëra kroatë në një tubim në sheshin e Shën Markut në Zagreb. Sot “Trg sveteg Marka” në Zagreb është selia e Parlamentit kroat, e Qeverisë dhe Gjykatës Kushtetuese.
2.
Juan Pedro Aladro y Kastriota (1845-1914) ishte fisnik spanjoll, tregtar verërash, diplomat në shumë metropole evropiane – dhe pretendues i Fronit Shqiptar pasi që e konsideronte veten pasardhës të familjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (ndonëse pa fakte bindëse).
Juan Pedro Aladro y Kastriota mbante lidhje të ngushta me Eqrem Bej Vlorën, dhuroi para për shkollën e parë shqipe në Korçë, insistoi që shkolla të mbetet e hapur, ndërsa ajo ishte mbyllur nga autoritetet osmane, mbajti kontakte me disa rilindës shqiptarë, vizitoi Sicilinë dhe Kalabrinë për të takuar krerë të arbëreshëve, themeloi një çmim letrar për të përkrahur prodhimin letrar në shqip, më 1902 financoi klubin e studentëve shqiptarë në Bukuresht “Shpresa”, po atë vit, në bashkëpunim me Faik Konicën, botoi në Bruksel një hartë gjeografike të Shqipërisë.
Në kujtimet e tij, Eqrem Bej Vlora shkruan se flamuri që u ngrit më 28 nëntor 1912 në Vlorë ishte dhuratë që ia kishte dorëzuar Juan Pedro Aladro y Kastriota. Historia zyrtare shqiptare pretendon se flamurin e qëndisi Marigo Posio. Sipas Eqrem Bej Vlorës, flamurin atij ia kërkuan organizatorët e shpalljes së pavarësisë dhe Marigo Posio ishte e ngarkuar vetëm me qëndisjen e kopjeve të flamurit.
Në Kongresin Shqiptar të Triestes më 1913 u diskutua se kush mund të bëhet princ i Shqipërisë. Juan Pedro Aladro y Kastriota nuk u mor parasysh për shkak se ishte katolik, ndërsa Shqipëria ishte vend multifetar. Kështu u zgjodh Wilhelm von Wiedi, i cili ishte protestant gjerman. Juan Pedro Aladro y Kastriota e quante veten “Shërbëtori kokulur i Shqipërisë”.
3.
Krahas spanjollit Juan Pedro Aladro y Kastriota, edhe këta persona synonin ta merrnin fronin shqiptar pas pavarësisë më 1912:
– Princi rumun Albert Ghika (Gjika), stërnip i princit moldav dhe vlleh George Ghica (Gjergj Gjika). Familja ortodokse rumune Gjika ishte me origjinë shqiptare.
– Italiani Giovanni Auletta, i cili mbahej si pasardhës i Skënderbeut.
– Senatori rus, Georgij Vladimiroviq Kastrioto Skanderbek Drelakoviq. Edhe ky mbahej si pasardhës i Skënderbeut pasi që ishte me origjinë nga Mali i Zi.
– Princi francez, Ferdinand d’Orléans, duka i Montpensier. Ai gëzoi përkrahjen e Francës për t’u bërë princ i Shqipërisë, u prit nga perandori rus, Nikollaj II., por u refuzua nga Italia. Në Londër Ferdinand d’Orléans shoqërohej me Isa Boletinin.
– U përmendën si sundues princërorë të Shqipërisë edhe: albanologu Franz Baron Nopcsa, gjermani Wilhelm Karl von Urach, një princ nga dinastia Hohenzollern, tre princër francezë me origjinë nga dinastia e familjes Bonaparte, princi Wilhelm i Suedisë (refuzoi).
– Myslimanëve të regjur shqiptarë nuk u pëlqenin kandidatët nga Evropa Perëndimore, andaj vajtën në Turqi për t’ia ofruar kurorën shqiptare ministrit të luftës, Ahmet Izet Pashës, i cili ishte me origjinë nga një fshat afër Manastirit.
– U përmend edhe Ahmet Fuad Pasha, princ egjiptian, më vonë mbret i Egjiptit. Kandidaturën e tij e përkrahu edhe diplomacia serbe.
– Sundimtarë të Shqipërisë u përpoqën të bëheshin edhe tre mashtrues: malazezi Stjepan Anibal Zanoviq, gjermani Otto Witte, Hasan Basri Bej Dibra, mysliman nga Tërnovo e Bullgarisë, që paraqitej si “Princ nga Dukagjini”.
– Në fund u zgjodh gjermani Wilhelm von Wiedi.
4.
Pas pushtimit të Kosovës më 1912, pushteti serb kishte tri synime: masakrimin, turqizimin dhe pamundësimin e arsimimit të shqiptarëve. Më së shumti lejohej “arsimi fetar”. Siç shkruan Petrit Imami në librin e tij “Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj” në vitet 1919/20, imami Hysen Statovci mbajti mësim ilegal në gjuhën shqipe në fshatin Batllavë të Podujevës. Bashkë me të mësim ilegal në shqip jepte edhe Faik Efendi Maloku, mësues në Medresenë e Prishtinës dhe patriot i njohur. Në vitin 1930, Hysen Statovci mbajti në xhaminë e Prishtinës shërbimin fetar në gjuhën shqipe. Kjo ishte hera e parë në historinë e Bashkësisë myslimane të Kosovës që një prijës fetar po ligjëronte në shqip në një xhami, sipas Petrit Imamit.
5.
“Kam fjetë si kingj”, thotë shqiptari. “Spavao sam kao zaklan”, thonë jo rrallë serbët. Që i bie: “Kam fjetur si i prerë në fyt”. Çfarë përfytyrimi morbid, i frikshëm, i llahtarshëm, i tmerrshëm! Sllavisti gjerman, Leopold Karl Goetz (1868-1931), në monografinë e tij mbi këngët popullore të sllavëve të jugut, shkruan se veçori e këtyre këngëve është që vrasja e një njeriu kryhet me brutalitetin më të madh ndaj armikut që s’mund të mbrohet. “Me kënaqësi të dukshme vrasësi demonstron egërsinë çnjerëzore; këngëtari raporton pa asnjë shenjë të mospëlqimit, madje i duket si diçka e vetëkuptueshme që vrasësi ushtron hakmarrje të verbër, vrazhdësi të shfrenuar në zbatimin e torturave të tmerrshme”, shkruan Leopold Karl Goetz. Shkencëtari serb, Branislav Kërstiq, në veprën “Indeksi i motiveve të këngëve popullore të popujve të Ballkanit” (Beograd, 1984) shkruan se katalogu i këngëve të hajdukëve (cubave) përbëhet nga sadizmi, përdhunimi, antropofagia (kanibalizmi), dhuna kundër grave dhe fëmijëve.
6.
Që nga fundi i shekullit të 19-të shumica e politikanëve dhe intelektualëve serbë kishin vetëm një synim: zgjerimin territorial të Serbisë. Me çdo çmim. Dhe me çdo mjet. Përdoreshin metoda terroriste, kryheshin atentate, zhvillohej propagandë.
Luftërat pushtuese patën një çmim për Serbinë. Mes viteve 1912-1918, pra brenda 6 vjetëve, Serbia humbi 1.2 milionë njerëz – në luftëra apo si pasojë e luftërave (ose 28 për qind të popullsisë së përgjithshme). Vendi numëronte edhe 260 mijë invalidë.
Socialdemokrati serb, Dimitrije Tucoviq, shkroi: “Në luftërat ballkanike Serbia dyfishoi jo vetëm territorin, por edhe numrin e armiqve të jashtëm”. Si pasojë e luftërave pushtuese Serbia futi nën kontroll Sanxhakun e Novi-Pazarit, Kosovën dhe Maqedoninë (e Vardarit). Kësisoj Serbia zgjeroi territorin e saj për 81 për qind – nga 48’000 kilometra katrorë në 87’000 kilometra katrorë. Edhe numri i popullsisë u shtua për 1.3 deri 1.4 milionë në 4.3 deri 4.4 milionë njerëz. Si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni serbët ishin pakicë. Dalja në Adriatik e Serbisë u pengua falë rezistencës së Austro-Hungarisë. Por, zgjerimi territorial ka mbetur ëndërr e politikanëve serbë deri në ditët e sotme.
7.
Millosh Obrenoviqi (1780–1860) ishte Princ (knez) i Serbisë (1815-39 dhe 1858-60) dhe themelues i dinastisë së Obrenoviqëve, e cila pjesërisht mbajti qëndrim proaustriak. Më 1903 një grup oficerësh serbë e masakroi Mbretin Aleksandar Obrenoviqin para së gjithash për dy arsye: për shkak të politikës së hapur ndaj Austrisë dhe martesës me Draga Mashinin, një shërbëtore pallati e përfolur për shumë skandale.
Ndonëse themeluesi i dinastisë, Millosh Obrenoviqi, nuk dinte as shkrim, as lexim, ai ishte shumë kureshtar dhe i informuar mirë. Siç shkruan historiani gjerman, Holm Sundhaussen, në veprën e tij “Historia e Serbisë”, kush pranohej në “suitën princërore”, mund të pasurohej shpejt, por edhe ishte nën mëshirën e knezit. I pranuari kishte të drejtë të hyjë në konakun e Princit, ku duke rrufitur kafenë turke dhe thithur nargjilenë, diskutohej mbi “ndodhitë e botës”.
Millosh Obrenoviqi ishte i rrethuar me bashkëpunëtorë që njihnin gjuhë të huaja. Ata ia lexonin dhe përkthenin Obrenoviqit gazetën gjermane “Augsburger Allgemeine Zeitung”, gazetën austriake “Beobachter”, atë angleze “Constitutional” dhe “Peterburgskie vedomosti” (Gazeta e Petërburgut).
Rezidenca e Princit në Kragujevc ishte e rregulluar me mobile orientale. Mobiliet evropiane silleshin vetëm për nder të mysafirëve të huaj. Millosh Obrenoviqi ishte i obsesionuar pas vajzave, por “i kënaqte” edhe djemtë që e shoqëronin, shkruan Sundhaussen. Gjeografi Jovan Cvijiq shkruan se Obrenoviqi ishte i pamëshirshëm ndaj armiqve dhe atyre që s’pajtoheshin me të. Njëherë ia preu gjuhën një njeriu, ndërsa vëllait të vet i shkroi se e ka zhdukur opozitën.
8.
Vrasja e mbretit pro-austriak serb, Aleksandar Obrenoviqit, më 1903 (100 vjet më vonë, më 2003 do të vritej Zoran Gjingjiqi, një politikan tjetër pro-evropian i Serbisë) ndikoi në ndryshimin e politikës së jashtme serbe: largimin nga Austro-Hungaria dhe orientimin drejt Rusisë. Më 1906 dështuan negociatat mes Beogradit dhe Vjenës për një marrëveshje tregtare dhe një biznes armësh. Austro-Hungaria u kundërpërgjigj, duke i mbyllur kufijtë për prodhime serbe. Kishte edhe në atë kohë reciprocitet. Nisi një luftë doganore mes Austro-Hungarisë dhe Serbisë, me tarifa të larta ndëshkuese për prodhimet e palës tjetër. Meqë Serbia eksportonte shumë derra në Austro-Hungari, konflikti mes dy vendeve u quajt “lufta e derrave” dhe zgjati deri më 1911. Vjena priste se kjo luftë doganore do ta dëmtonte Serbinë. Ndodhi e kundërta: Serbia gjeti tregje të tjera, Rajhu Gjerman u shndërrua në partnerin e dytë tregtar.