
Nga Eldon Gjikaj
Dje Tirana dhe Shqipëria ndoqën me zë dhe figurë hapjen zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, përkatësisht Partia Socialiste në sheshin Skënderbej dhe Partia Demokratike në sheshin Nënë Tereza. Modelet elekorale të transmetuara nga këto dy formacione politike dje, që, doemos, projektojnë fizionominë dhe staturën e qeverisjes së ardhshme, ishin krejt mospërputhëse.
Nga sheshi Skënderbej (për fat të keq, shumë shpesh në këto vite tranzicioni, log përplasjesh, kacafytjesh, shëmtie politike me sjellje cubash, deri vonë një zonë e degradimit urban) Partia Socialiste konceptoi dhe realizoi në detaje një çelje fushate të përkorë, me tonalitet të qetë, por besimplotë për fitoren e mandatit të tretë. Duke respektuar distancimin fizik, sot në mbarë botën kriter i detyrar, që rreflekton përgjegjësi dhe qytetari, kandidatët për deputetë, pas liderit Rama,dora dorës kumtuan ligjërimin e tyre politik.
Nga krahu tjetër, çelja e fushatës elektorale të koalicionit opozitar degjeneroi në një minë pandemike. Ndonëse ishte proklamuar një gjetje “avangardiste” në kohë pandemia (edhe pse copy-paste) militantët e ftuar i dolën duarsh krejtësisht regjisorit në tribunë. Ethshëm, duke braktisur automjetet, turravrap, drejt tribunës lidermbajtëse, e shkoqën fare gjetjen regjisoriale. Si përfundim gjithçka u katandis në një miting nga më klasikët për këtë formacion politik.
Por e gjithë kjo fabul e ka një logjikë. Qetësia e dëshmuar nga Partia Socialiste vjen prej garancisë së saj elektorale për fitoren e mandatit të tretë, kalkuluar edhe mbi bazën e parashikimeve. Frenezia elektorale e Partisë Demokratike, dëshmon pasigurinë e saj për rezultatin final dhe ngjarja e djeshme e përforcon këtë logjikë.
Për pasojë fitorja politike e Bashës që befas po rreket të shuguruohet edhe si shkrimtar me një titull shumë kuturisës “Misioni im”, hë për hë është një mision i pamundur. Meqë jemi te shkrimtaria, duhet theksuar se ajo është zeje e vështirë, madje shumë. Latinët e kishin përcaktuar qartë këtë punë me maksimën “poeta nascitur orator fit” poet lind orator bëhesh. Për hir të së vërtetës edhe kjo e dyta vëshirë se nxori krye dje në sheshin e paradës së makinave./dritare.net