
Nga Sonja Llana
Nëse do ta përmblidhnim me një titul kjo ishte çelja e fushatës së Bashës sot. Po zgjedh të mos e komentoj fjalimin e Flutura Açkës, për mua është e përkohshme në politikë, por do të mbetet gjithmonë një poete dhe publiciste që qëndron shumë më lartë se politika. Radhën pas saj e pati Neritan Liçaj.
Po të mos e dija se ishte një tubim (që shkeli rregullat e pandemisë ndërkohë që bota ende jeton e izoluar), do mendoja se isha në teatër. Kështu e nisa ditën duke parë Robert Ndrenikën në spotin e PS dhe e mbylla duke dëgjuar çirrjen e Liçajt. Pati ulërima, mallkime, sharje, fyerje por nuk pati thelb. Thelbi i vetëm ishte shfryrje dufi dhe inati të një nevriku, që ndoshta as vetë nuk e di përse bërtet se nuk na e tha.
Më pas kishte radhën Floriana Garo. Vajza e ekraneve shqiptare, u kthye nga Zvicra për të qenë zëdhënëse e PD në këto zgjedhje. Në fakt nuk është fort e hijshme kur një njeri që ka ndërtuar jetën jashtë kufijve të flasë me forma të tipit: “na duhet ndryshimi” “duhet të bëjmë ndryshimin”, sepse bëhet njësh me ata që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri dhe nuk është se kanë një jetë në Zvicër nga ku i ndan vetëm një biletë avioni. Me gjitha sharmin dhe urtësinë e saj, Floriana ishte sot një moderatore ashtu sic ka qenë gjithmonë kur “ftoi në skenë kryeministrin e ardhshëm Lulzim Basha.”
Fill pas tyre erdhi deliranti. Plot një orë e pritëm liderin e opozitës që të niste zyrtarisht fushatën. Pritëm që të fliste gjatë, por mesa duket për t’u ruajtur nga lapsuset e gafat zgjodhi të fliste ja ashtu shkurt, sa për të mbaruar punë. Dy shtylla pati kandidati për kryeminsitër i opozitës: NATO dhe liberalizimi i vizave. Kam qenë fëmijë kur kane ndodhur këto ngjarje dhe jam 22 vjeçe sot, ndaj ishte komike të dëgjoja si arritje dhe triumf pikërisht këto, ndërkohë që mund të kishim patur një opozitë model gjithë këto vite që dencon ebëhet zë për qytetarët.
“Jam i dërguari i shpresës”, “kam parë forcën në sytë tuaj”, “kam ndjerë shpresën në përqafimet tuaja”, ishin një miks i një teksti letrar, me një diskurs të lodhur politik dhe me një ton që me gjithë dëshirën për të ngjarë entuziast na tha vetëm: jam këtu ja kështu, sa për ta bërë këtë detyrën se kështu duhet. Por në fund të tubimit që u mbyll me një përshëndetje familjare si një tentativë patetike për t’i ngjarë Bidenit të paktën në një model fushate se në radhitje makinash dështoi, më shumë dëshirë për të fituar zgjedhjet transmetoi Licaj e Garo sëbashku se sa ai që synon të jetë kryeministri i vendit nesër.