
Këngëtari i luftërave të papërfunduara
1.
Premium
Çka e bashkon Goran Bregoviqin me një bashkëpunëtor të kryeministrit të Shqipërisë, vendimin e V.Intzkos për gjenocid dhe aktgjykimin e J.Stanishiqit, shef i Shërbimit sekret serb?
1.
Një bashkëpunëtor i deritanishëm e i afërt i kryeministrit të Shqipërisë ka bashkëpunuar me Shërbimin sekret serb në Kosovë.
Ky konstatim nuk është pjesë e konspiracioneve të rëndomta mbi “spiunllëkun” të këtij apo atij personi. Bashkëpunëtori i deritanishëm i afërt i kryeministrit të Shqipërisë këtë e ka pranuar publikisht në Gjykatën Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë në Hagë. Ka pranuar se Shërbimi sekret serb i ka kërkuar që të ndihmojë të hapet një proces negociatash me një figurë të respektuar shqiptare të Kosovës në mënyrë që të shmanget negociata me dr.Rugovën, figurë prijëse e shqiptarëve të Kosovës e njëkohësisht që prej pozicionit të dr.Rugovës për pavarësi të vendit të kalohet në pozicion të “Republikës së tretë” brenda “RFJ-së”. Bashkëpunëtori këtë kërkesë e ka zbatuar.
Këtë do ta zbulonim, vetëm pas lufte, të gjithë ne të tjerët që në një mënyrë a tjetër e kishim njohur bashkëpunëtorin e Shërbimit sekret serb. Dhe, kjo çështje do të riaktualizohej brenda strukturave shtetërore të Shqipërisë kur personi në fjalë do ta kërkonte shtetësinë e Shqipërisë. Atëbotë, e në kundërshtim me procedurat ligjore, do të shmanget informata mbi bashkëpunimin me Shërbimin sekret serb dhe do të jepej shtetësia nga presidenti në detyrë.
Gjatë ditëve të kaluara të kësaj vere të nxehtë do të zhvillohen tri procese, që do të më shërbejnë për të përkujtuar rastin e bashkëpunëtorit. I pari është vendimi i Valentin Intzkos, tashmë ish-kryeadministrator ndërkombëtar i BeH-së, që të shpallë mohimin e gjenocidit në BeH si vepër penale. I dyti është shpallja e aktgjykimit të Jovica Stanishiqit, shef i dikurshëm i Shërbimit sekret serb (që i kërkoi favore bashkëpunëtorit) me të cilin veprimtaria e tij në luftën e Bosnjë-Hercegovinës trajtohet si vepër e ndërmarrjes së përbashkët kriminale të shtetit të tij, Serbisë. Dhe i treti është zallamahia rreth ftesës që Goran Bregoviqi, një figurë prijëse e rokut jugosllav të viteve ‘80 dhe tashmë figurë ndërkombëtare e muzikës, të marrë pjesë në Festivalin e Birrës në Korçë.
2.
Valentin Intzko tregoi se kishte imponuar ligjin mbi mohimin e gjenocidit në këtë kohë për arsye të thjeshtë, sepse vetëm tash u bë i plotfuqishëm aktgjykimi i Radovan Karaxhiqit, ish-prijës i serbëve të BeH-së, me të cilin ai gjykohej, mes tjerash, edhe për gjenocidin në Srebrenicë. Pra, ndonëse vepra e gjenocidit qe kryer më 1995, vetëm më 2021 është e mundur, me dënimin e Karaxhiqit që kjo vepër penale është sanksionuar si e tillë, rrjedhimisht mohimi i saj përbën vepër tjetër penale, sipas traditës më të mirë evropiane të ndërtuar pas gjykimeve të Nyrembergut në Gjermaninë pas-naziste.
Kjo është me rëndësi të jashtëzakonshme për identitetin e Bosnjë-Hercegovinës, shtet në të cilin pasardhësit e Radovan Karaxhiqit, të shpërblyer me Republikën serbe, ndërtojnë politikën e tyre mbi mohimin e gjenocidit. Për ta, gjenocidi në Srebrenicë ishte pjesë e luftës, “ku të gjithë vranë të gjithë të tjerët, të gjithë ishin përgjegjës, të gjithë ishin viktima”.
Gjykimi i Jovica Stanishiqit tregoi se nuk ishin të gjithë përgjegjës e as të gjithë viktima. Ai u dënua sepse, ndonëse nuk ishte përgjegjës i drejtpërdrejtë për vrasjet në BeH, ishte përgjegjës sepse qe në krye të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, që kishte për qëllim dëbimin me dhunë të boshnjakëve myslimanë nga shtëpitë e veta dhe vendosjen e mbisundimit serb në ato territore. Kjo ndërmarrje e përbashkët kriminale, sipas aktgjykimit, kishte mbështetjen e plotë organizative të Republikës së Serbisë.
Dhe Goran Bregoviqi, një simbol i muzikës së ish-Jugosllavisë, i ftuar në Festivalin e Korçës nxiti fërkimin e radhës e bukur intensiv politik e kulturor në diskurset publike të Kosovës e Shqipërisë. Në të folmen shqipe u ravijëzua konfrontimi i argumentit mbi të drejtën që shqiptarët të ftojnë figura kulturore që nuk e kalojnë një provim imagjinar moral (e të tillë janë të gjithë) mbi qëndrimin ndaj luftës në Kosovë (apo nëse tëhollohet, edhe ndaj Milosheviqit, Bosnjës, etj.).
3.
Të tri proceset kanë një emërtim të përbashkët, të luftës së papërfunduar e vonesës për ta pranuar këtë.
Ligji për mohimin e gjenocidit në BeH nxori në pah atë që do të duhej të ishte shtyllë morale e ndërtimit të BeH-së para një çerekshekulli. Pra, që në vitin 1996 do të duhej të ishte e qartë se shtylla morale e ndërtimit të shtetit demokratik të BeH-së do të ishte që nuk mund të mohohet gjenocidi, ashtu siç nuk është e paramendueshme sot që të ekzistojë një demokraci shembullore evropiane në Gjermani e që të mos mbështetet mbi shtyllën morale të dënimit të gjenocidit. Fakti që kjo bëhet më 2021 tregon se lufta në BeH, përfshirë gjenocidin, vazhdon në inversionin e Von Clauzewitzit, që thoshte se lufta është vaz