
Nga Ilir Metaj*
Dje në darkë shkova për herë të parë të shijoja një birrë në Qendrën Historike, Muradie, U zhgënjeva totalisht. Një investim fantastik i shpërdoruar në mënyrë amatoreske.
Përgjegjës: Shoqata “TID” që menaxhon Qendrën Historike, por patjetër edhe Bashkia Vlorë që duhet t’a mbikqyrë. Qendra Historike është një potencial i shkëlqyer turistik për t’u kthyer në një produkt marke “Made in Vlora”.
Dhe për këtë duhet kreativitet, dëshirë dhe vullnet. Në fakt ajo që gjen është një rrëmujë rrokopuje karrigesh e tavolinash lloj-lloj e ngjyra-ngjyra, që jo vetem nuk kanë lidhje me arkitekturën e fasadave dhe formën e godinave, por nuk shkojnë as me njëra-tjetrën në hapësirën e të njëjtit lokal.
Shto këtu çadrat e shëmtuara plastike që i kanë zënë frymën sheshit kryesor, e ku sheh frigorigerë të vjetër e aspak ndjellës dhe zgarra që tymosin qofte.
Ti mund të ulesh për të shijuar edhe vetem një kafe, po këtë nuk mund t’a bësh pa gjerbur edhe erën e qofteve që të bllokojnë flegrat e hundës kudo që të pozicionohesh.
Nuk shpëton dot.
Janë paketë: paguaj 1, merr 2.
Papo në sfond të tymit të qofteve sheh një goxha ekran të madh që transmeton… të them muzikë, nuk është fjala e duhur se në ekran sheh vetëm Stresin &co dhe ca zënxjerrëse të silikonuara që reklamojnë me mburrje punën që ka bërë kirurgu estetik,posaçërisht me të pasmet e tyre.
Të dashur “TID” e Bashkia Vlorë, po ç’lidhje ka Vlora me qoftezimin?! C’lidhje ka Qendra Historike me antikulturën? Keq dhe turp!
*Deputet i zgjedhur në qarkun e Vlorës