
Nga Enver Robelli
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë-Hercegovinës sot i ka anuluar zgjedhjet në dy qytete: në Srebrenicë dhe në Doboj për shkak të parregullsive.
Ky vendim ka ndikuar që Millorad Dodiku, lideri i serbëve të Bosnjës (dhe akutalisht kryesues i presidencës së Bosnjës), të humb kontrollin.
Anëtarët e KQZ-së i ka quajtur: «të mjerë, vjedhës, kriminelë, tyxharë».
Është kërcënuar se do t’i bojkotojë zgjedhjet më 2022.
Pastaj ka ofenduar rëndë anëtaren e KQZ-së së Bosnjës, Vanja Bjelica-Prutina, duke ia mohuar besueshmërinë për shkak se «si serbe është e martuar me një mysliman në Sarajevë».
Në këtë deklaratë janë bashkë: ksenofobia, racizmi, poshtërsia, popullizmi, urrejtja, jotoleranca! Dhe nuk është hera e parë.
Gjuha e Dodikut është përherë e më skandaloze. Por për dallim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian ende nuk ka vendosur sanksione kundër Dodikut.
Para disa ditësh shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrel i telefonoi Dodikut për ta lutur që të kujdeset për strehimin e refugjatëve në mbarë Bosnjën.
Përgjigjja e Dodikut ishte e qartë dhe arrogante: jo, harroje.
Për aq kohë sa BE bashkëpunon me politikanë të tillë, në Ballkan nuk ka kurrfarë përparimi.