
Këtë të diel, në Bullgari po mbahen zgjedhjet parlamentare. Ato janë të dytat brenda tre muajve, pasi procesi në prill rezultoi në një Parlament të fragmentarizuar që dështoi në krijimin e një qeverie të re.
Në total janë 23 parti dhe koalicione, të cilat garojnë për 240 vendet e Parlamentit bullgar. Por sondazhet paraprake tregojnë një diferencë të ngushtë midis partisë GERB të ish-kryeministrit Boyko Borisov dhe partisë “Ka një popull të tillë”, të udhëhequr nga moderatori i emisioneve televizive, Slavi Trifonov.
Borisov ka dominuar politikën në Bullgari, që në vitin 2009 duke drejtuar vendin për 12 vjet. Por, akuzat për korrupsion dhe standardet e ulëta të jetesës kanë ulur mbështetjen e qytetarëve ndaj 62-vjeçarit dhe partisë së tij.
Bullgaria është vendi më i varfër i Bashkimit Evropian dhe perceptohet si një nga më të korruptuarit.
Sofja ndërkohë ka bllokuar integrimin evropian për Maqedonine e Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve për gjuhën, kombësinë maqedonase dhe personalitetet historike. Por, sipas ekspertëve, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, politika bullgare nuk pritet të ndryshojë qëndrimin e e saj në raport me konfliktin me Shkupin zyrtar.