Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut kanë shpallur epidemi të Etheve të Nilit Perëndimor në pesë komuna të Shkupit, pas rritjes së rasteve dhe përkeqësimit të situatës epidemiologjike.

Masa prek komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, deri më 11 gusht janë konfirmuar 26 raste me virusin, ndërsa katër persona të tjerë janë ende në proces diagnostikimi. 25 prej rasteve janë regjistruar në Shkup dhe një në Veles. Autoritetet bëjnë me dije se pothuajse të gjitha infeksionet janë marrë brenda vendit, ndërsa vetëm një pacient kishte udhëtuar më parë në Greqi.

Në Klinikën e Sëmundjeve Infektive janë trajtuar 20 pacientë, ndërsa pesë prej tyre ndodhen në gjendje kritike dhe po mbahen në ventilim mekanik. Një pacient 83-vjeçar ka humbur jetën. Sipas mjekëve, ai vuante edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Të moshuarit rezultojnë grupi më i rrezikuar, pasi 22 nga 26 personat e infektuar janë mbi 60 vjeç.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, deklaroi se nuk ka arsye për panik, por situata kërkon kujdes dhe përgjegjësi. Sipas tij, epidemia është shpallur për shkak të numrit të rasteve të konfirmuara dhe qarkullimit të virusit, ndërsa institucionet po bashkëpunojnë për identifikimin dhe trajtimin e rasteve të reja.

Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Virusi nuk transmetohet nga personi në person dhe aktualisht nuk ka vaksinë apo trajtim specifik antiviral.

Rreth 80% e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma. Në raste të tjera mund të shfaqen temperaturë e lartë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të përziera dhe të vjella. Në format më të rënda, virusi mund të prekë sistemin nervor qendror dhe të shkaktojë komplikacione serioze.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin jashtë në orët e agimit dhe muzgut, kur mushkonjat janë më aktive, të përdorin repelentë dhe rrjeta mbrojtëse në dritare, si dhe të eliminojnë ujërat e ndenjura pranë banesave, ku mushkonjat mund të shumohen.