
Greqia ka ashpërsuar qëndrimin e saj ndaj Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në BE. Athina zyrtare i ka dërguar një deklaratë me shkrim komitetit të përfaqësuesve të përhershëm të BE-së se çështja “Beleri” është kusht për të pranuar hapjen e grupkapitujve të parë që zyrtarisht është çelja e negociatave anëtarësuese të BE-së me Shqipërinë.
Gazeta “Kathemerini”, e cila citon burime diplomatike, shkruan se për Greqinë çështja e anëtarësimit të Shqipërisë është e lidhur drejtpërdrejtë me qëndrimin që Tirana zyrtare do të mbajë ndaj kryetarit të zgjedhur të Himarës. Fredi Beleri është në burg dhe i arrestuar për akuzën e krimeve zgjedhore.
Greqia në letrën që i ka dërguarve komitetit, thekson se Athina çështjen “Beleri” e konsideron si një provë e shkeljes së kushteve që një vend kandidat duhet të plotësojë për të qenë pjesë e familjes europiane.
Pak javë më parë vendi fqinj refuzoi të jap miratimin e tij për hapjen e grupkapitujve të parë që rrjedhimisht do të çonte në mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare mes BE-së dhe vendit tonë.
Pas këtij vendimi në një reagim të tij kancelari gjerman Olaf Scholz dhe së fundmi Spanja, që mban presidencën e BE-së, i kërkuan Greqisë që të tërhiqet nga vetoja me argumentin se çështjet dypalëshe nuk janë pjesë e procesit të zgjerimit.
Berlini thekson se është shumë e nevojshme të shkohet drejt përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.