
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas kritikave të njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve, duke thënë se ai është emëruar në detyrë nga populli i Kosovës dhe jo nga aleatët.
Në këtë mënyrë, Kurti ka përforcuar qëndrimin e tij për ngërçin e krijuar në veri, ndërsa ka shtuar se vetëm populli që e ka votuar mundet që ta heq atë nga detyra.
“Ata e kanë gjithnjë e më të qartë dhe unë do t’i bindi më kollaj nëse më ndihmoni më shumë (për sjelljet e Serbisë). Por, edhe nëse nuk më ndihmoni, bindja do të ndodhë, sepse Republika e Kosovës është ndërtuar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve. Në anën tjetër Republikën e mban Kushtetuta me ligj dhe institucione. Këtij populli unë duhet t’i dal zot, sepse për këtë më kanë sjellë në këtë karrige. Unë kam vlerësimin dhe respektin më të lartë për ambasadorin Hovenier, mund të them në mënyrë fort të veçantë krahasuar edhe me të gjithë ambasadorët e tjerë, por mua më ka votuar populli, nuk më ka emëruar ambasadori. Duhet ta kuptoni këtë gjë, mua më ka votuar populli i Kosovës, populli i Kosovës të voton, populli edhe të heqë. Nuk është emërim kryeministri, kryeministri është zgjedhje e atij që është burim i sovranitetit”, ka thënë Kurti, transmeton KTV.
Nga ana tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi sot një takim presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz si dhe përfaqësuesin e Lartë të BE-së për punët e Jashtme, Josep Borrell, në të cilin Kurti nuk ishte i pranishëm.
Macron dhe Scholz kërkuan ripërsiritje të zgjedhjeve në veri, ndërsa presidentja Osmani theksoi se kjo kërkesë e tyre do të shqyrtohet.