Pas sulmeve dhe shpërthimeve në veri të Kosovës ka reaguar kryeministri Albin Kurti. Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale ai ka akuzuar presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç se po përpiqet të shkaktojë destabilitet.
Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi.
Ndërkohë kreu i shtetit serb ka deklaruar se Beogradi nuk do të dorëzohet. Aleksander Vuçiç i ka kërkuar Prishtinës të respektojë marrëveshjet e nënshkruara.
Nuk ka dhe nuk do të ketë dorëzim. Ky është vendimi i Serbisë dhe mesazhi im për popullin tonë në Kosovë e Metohi. Mesazhi për të gjithë të tjerët është që të respektojnë të drejtat dhe liritë e serbëve dhe të Serbisë dhe të sillen në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe të drejtën ndërkombëtare, sepse vetëm kështu mund të filloje normalizimin i marrëdhënieve. Ne do të vazhdojmë të luftojmë me të gjitha mjetet ligjore për paqen, për një jetë dhe të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë. Serbia do të fitojë.
Albin Kurti dhe Aleksaander Vuçiç janë ftuar në një tjetër takim në Bruksel nga shefi i diplomacisë europiane Jozef Borrel në një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të shmangur përplasjen në veri.