
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka nisur debatin mbi propozimin francez.
Pjesë e punimeve është edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e cila mbajti fjalën e saj para deputetëve. Von der Leyen tha se nëse propozimi votohet, javën e ardhshme hapen negociatat.
URSULA VON DER LEYEN
PRESIDENTJA E KOMISIONIT EVROPIAN
Nëse vendosni të miratoni propozimin francez sot, në ditët në vijim do të mbahet një konferencë politike ndërqeveritare. Ne si komision do të fillojmë menjëherë procesin e shqyrtimit të ligjit evropian. Ky është hapi i parë i procesit.
Von der Leyen deklaroi prerë se gjuha dhe identiteti maqedonas nuk do të preken.
URSULA VON DER LEYEN
PRESIDENTJA E KOMISIONIT EVROPIAN
I kam dëgjuar me vëmendje shqetësimet lidhur me gjuhën dhe identitetin maqedonas. Nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj. Po e përsëris, nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj dhe ne e respektojmë plotësisht këtë. Prandaj në propozimin e rishikuar thuhet gjuha maqedonase, pa kualifikime shtesë nga BE-ja. Propozimi mbështet gjithashtu nacionalitetin tuaj.
Presidentja e Komisionit Europian u kujtoi ligjvënësve se ata kanë bërë shumë punë për të qenë pjesë e unionit europian dhe se kjo është mundësia më e mirë që një dëshirë e tillë të realizohet.
Von der Leyen shtoi më tej se Maqedonia e Veriut e ka vendin në BE si një partner i vërtet. Presidentja e Komisionit u përballë edhe me një situatë të pakëndshme.
Deputete te VMRO-DPMNE gjatë fjalës së saj i ranë bilbilave për një moment dhe vendosën ne foltore një pankartë me mbishkrimin “JO”. Ndërkohë jashtë Kuvendi protestat e thirrura nga opozita vazhdojnë.