
Pavarësisht “suksesit” që po arrin fushata e vaksinimit, Serbia ka vendosur të shtrëngojë masat kufizuese kundër COVID për një javë.
Kryeministrja Ana Brnabic njoftoi mbylljen e kafeneve dhe restoranteve për një javë, qendrave tregtare, dyqaneve dhe aktiviteteve të tjera jo thelbësore, me përjashtim të supermarketeve, dyqaneve ushqimore, farmacive. Ndërsa mbetet në fuqi detyrimi për të mbajtur maskë në ambiente të mbyllura dhe ndalimi i grumbullimeve.
Mirëpo, paradoksi qëndron te fakti se këto masa po ndërmerren në një kohë kur Serbia po zhvillon një proces të suksesshëm vaksinimi, duke iu ofruar qytetarëve të saj katër lloje të ndryshme vaksinash: Pfizer, AstraZeneca, Sinopharm kineze dhe Sputnik V ruse.
Për momentin, në vendin ballkanik, deri më tani, një milionë e gjysmë njerëz kanë marrë nga një dozë, nga shtatë milionë banorë gjithsej.
Pas Britanisë së Madhe, Serbia renditet në vend të dytë si shteti që ka kryer më shumë vaksinime.
Mirëpo, vihet re se numri i të infektuarve me COVID ka pësuar rritje, çka ka sjellë edhe reagimin e qeverisë.