Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë kanë mbetur të pastrehë, si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në Turqi.
Reshjet intensive goditën dy rajonet që u shkatërruan nga tërmeti katastrofik i muajit të kaluar, Adijaman dhe Shanlıurfa.
Mes viktimave ka edhe persona që jetonin në çadra.
Disa njerëz raportohen të zhdukur, teksa autoritetet janë në terren për gjetjen e tyre si dhe për të pastruar rrugët të përmbytura dhe me baltë.
Akset kryesore u kthyen në lumenj, duke lënë të përmbytur shtëpi, spitale dhe biznese.
Rrjedhjet e fuqishme të ujit morën gjithashtu përpara makinat dhe çdo gjë tjetër përreth. Agjencia turke e Menaxhimit të Fatkeqësive bëri të ditur se në dispozicion u vendosën zhytës profesionistë, të cilët u përfshinë në përpjekjet e shpëtimit.
Shiu i dendur përmbyti gjithashtu njësinë e kujdesit intensiv në Spitalin e Trajnimit dhe Kërkimit, ndërsa pacientët janë transferuar në një spital tjetër. Shkollat kanë pezulluar mësimin, deri në përmirësimin e situatës.
Sipas parashikimeve, reshjet e shiut pritet të jenë me intensitet të lartë, të paktën deri në fundjavë, duke e rënduar edhe më shumë situatën në zonë.
Provincat, ku jetojnë rreth 2.7 milionë njerëz, u goditën nga tërmetet e muajit të kaluar, të cilët vranë më shumë se 48,000 njerëz në Turqi dhe lanë miliona të pastrehë.