
Kovaçevski: Ndikimet ruse vështirë se mund të destabizilojnë vendin
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski u shpreh se Maqedonia e Veriut, por edhe mbarë rajoni, nuk janë të rrezikuar edhe përkundër ndikimeve të rrymave të ndryshme në rajon.
“Ndikime të vendeve të treta, përfshirë edhe ndikimin rus, ekzistojnë në rajon. Ato gjithmonë kanë mundësi të gjejnë mbështetës të mendimeve të tyre tek individë, parti politike dhe organizata të caktuara, por ato nuk arrijnë deri aty sa të kenë posedim apo ndikime deri në atë nivel që të jenë në gjendje të destabilizojnë shtetin tonë”, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Stoltenberg mesazh deputetëve: Bashkoni forcat drejt BE-së
Në fjalimin e mbajtur para deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut ,sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pasi numëroi avantazhet me anëtarësimin e vendit në NATO kërkoi nga deputetët unitet në rrugëtimin drejt BE-së.
“Anëtarësimi në BE do të përforcojë demokracinë tuaj dhe sundimin e së drejtës dhe do të mundësojë jetë më të mirë për të rinjtë. Të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi që të punojnë së bashku dhe ta çojnë vendin përpara. Nga kjo foltore e Parlamentit ju inkurajoj që të vazhdoni të punoni siç keni punuar për anëtarësimin në NATO, ta kompletoni udhëtimin tuaj drejt familjes europiane”, theksoi Stoltenberg.
Stoltenberg u takua edhe me presidentin Stevo Pendarovski, dhe kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së Jens Stoltenberg të mërkurën (22.11.2023) në Shkup do të jetë mikpritës i samitit të vendeve anëtare të rajonit në NATO, ku do të marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti kroat Zoran Millatoviq, kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob. Në këtë takim do të diskutohen sfidat e sigurisë në rajon, me theks të veçantë Bosnjen dhe Kosovën./DW/