
Presidenti aktual bullgar, Rumen Radev ka siguruar një mandat të dytë pesëvjeçar, duke mundur me 66 përqind të votave kundërshtarin Anastas Gerdzhikov në balotazhin e 21 nëntorit.
Në deklaratën e fitores, Radev nuk ngurroi të përsërisë edhe njëherë qëndrimin ndaj Shkupit duke thënë se vetoja nuk do të hiqet.
RUMEN RADEV
PRESIDENT I BULLGARISE
“Qeveria e re nuk duhet të bëjë lëshime nga pozitat kombëtare posaçërisht kur bëhet fjalë për identitetin dhe historinë bullgare dhe të drejtat e bashkatdhetarëve tanë përtej kufirit.”
Presidenca në Bullgari ka rol kryesisht ceremonial, por ofron një platformë të fuqishme për të ndikuar në opinionin publik. Roli i tij fiton peshë në kohë krize politike, kur kreu i shtetit mund të emërojë kabinete të përkohshme.
Sakaq liderët e tre partive “Vazhdojmë me ndryshimet”, “Bullgaria Demokratike”, “Partia Bullgare Socialiste” dhe “Ka popull të tillë” kanë rënë dakort që të nisin bisedimet për formimin e qeverisë, e cila do të zëvendësojë kabinetin teknik të Stefan Janev.
Zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale që u mbajtën gjatë muajit nëntor, i dhanë fund krizës politike disamujore në vendin e kritikuar gjerësisht për korrupsion.